Vizita sot në Tiranë e nënkryetares së CDU, forca më e madhe politike në Gjermani, ka qënë në lajmet kryesore të mediave. Dhe pjesa më e madhe e gazetave dhe televizioneve, i kanë shtuar raportimit, komentin se me këtë prani të zyrtares së lartë nga Berlini, ka nisur ndërmjetësimi gjerman.
Katja Leikert ka qenë sot paradite tek Presidenti Meta, më pas ka qendruar për 1 orë e gjysëm me Lulzim Bashën, sipas raportimit të T.CH, dhe pasdite është takuar edhe me kryeministrin Rama
Mësohet se Katja Leikert është një një mision faktmbledhës. Por është e padiskutueshme se ajo me këto takime ta testuar gadishmërinë e palëve politike në konflikt të skajshëm, për të pranuar një negociim gjerman.
Nuk besohet se negociatorja do të jetë vetë ajo, pasi edhe në CDU zonja Leikert nuk mbulon Ballkanin. Por gjasat janë që ajo të ketë hapur rrugën, për zotin Johann Wadephul.
Wadephul konsiderohet si një nga drejtuesit kryesorë dhe më shumë autoritet tek kristiandemokratët gjermanë.
Nga fundi i muajit maj të këtij viti, ai bëri një deklaratë të fortë për krizën e brendshme në Shqipëri, dhe ishte ndoshta investimi më i madh i bërë nga ndërkombëtarët.
“Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë”.
Në atë kohë, ky qendrim u prit me entuziasëm, dhe u pa si shpresë për një ndërhyrje të mundshme që do ti sillte palët në tavolinë dhe do të ofronte një zgjidhje.
Mirëpo mesa duket, kryeministri Rama nuk e pranoi ndërmjetësimin e Wadephul. Rama u denoncua në media se e kishte refuzuar, dhe ai nuk e përgenjështroi asnjëherë. Po ashtu, pak ditë më parë në një intervistë tek Syri-tv, kreu i opozitës, Lulzim Basha, tha se ai ishte i gatshëm të pranonte negociimin gjerman, por ishte Rama sipas tij që kishte refuzuar.
Me rrethanat e reja politike në vend, tashmë që zgjedhjet janë bërë, dhe kur gjithë pushtetin e ka Rama, pritet që shtatori të sjellë një dyndje diplomatike në Tiranë për zgjidhjen e krizës.
Dihet se Wadephul mbërrin me 15 shtator. Dihet po ashtu se opozita, dhe Basha e mirëpresin një zgjidhje që vjen nga CDU. Ende nuk është e qartë nëse tashmë Edi Rama ka ndryshuar mendim, dhe a është ai i gatshëm për këtë ndërmjetësim. Ndoshta, këtë ka mësuar sot zonja Leikert në vizitën në Shqipëri, dhe në takimin me Ramën.
Në ditët në vijim me siguri do të ketë dicka publike, nëse palët do të pranojnë, dhe do ti përgjigjen pozitivisht vullnetit të Johann Wadephul.