Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Kosovë, tha se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në arenën ndërkombëtare, raporton Anadolu.
Pas takimit me homologen e tij, Donika Gërvalla-Schwarz, të dy kryediplomatët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Fidan, i cili e nisi fjalën e tij duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në Prishtinë, tha se në kryeqytetin kosovar ndihet si në shtëpinë e tij, duke falënderuar homologen kosovare për pritjen.
Duke nënvizuar marrëdhëniet pozitive midis Türkiyes dhe Kosovës, shefi i diplomacisë turke tha se “kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, por edhe vëllezërit tanë”.
“Ne dëshirojmë që lidhjet e palëkundura mes nesh t’i pasqyrojmë më së miri edhe në marrëdhëniet dypalëshe. Qëllimi ynë është që të sjellim një vizion strategjik gjithëpërfshirës në marrëdhëniet tona. Siguria, politika dhe ekonomia janë tri shtyllat e bashkëpunimit tonë”, tha ai.
– Marrëdhëniet Türkiye-Kosovë
Ministri i Jashtëm turk tha se dialogu politik mes dy vendeve është në një nivel “të shkëlqyer” dhe se duan të përfitojnë nga kjo për të trajtuar çështjet si siguria me një qasje afatgjatë dhe t’i vendosin ato brenda kornizës institucionale. Fidan vuri në dukje se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë ndërmjet Türkiyes dhe Kosovës do të jetë hapi i parë në këtë drejtim dhe tha se do të forcohet edhe bashkëpunimi ekonomik.
Kryediplomati i Türkiyes theksoi se synohet që në periudhën e ardhshme vëllimi i tregtisë mes dy vendeve të rritet në 1 miliard euro, duke shtuar se investimet e kompanive turke në Kosovë kanë arritur në 500 milionë euro. Duke kujtuar se kompanitë turke ofrojnë punësim për rreth 10 mijë kosovarë, ministri Fidan vuri në dukje se presidenti Recep Tayyip Erdoğan dëshiron më shumë investime në rajon në aspektin e punësimeve në fsuhën ekonomike dhe atë tregtare.
Fidan tha se i ka përcjellë homologes së tij pritshmëritë lidhur me zgjidhjen e disa problemeve që kanë përjetuar kompanitë turke në Kosovë.
Ai tha se me ministren Gërvalla-Scwarzh kanë biseduar edhe për zhvillimet në Ballkan, duke nënvizuar domosdoshmërinë e veprimit me mirëkuptimin e pronësisë rajonale përballë problemeve rajonale. Duke iu referuar rëndësisë që Türkiye i kushton Kosovës, Fidan tha:
“Ne si Türkiye i kushtojmë rëndësi të madhe që Republika e Kosovës e pavarur dhe sovrane të qëndrojë në këmbët e veta. Ne e kemi mbështetur Kosovën që në fillim për të arritur pozitën që meriton në arenën ndërkombëtare. Shfrytëzoj rastin të theksoj edhe një herë se mbështetja jonë do të vazhdojë gjithmonë. Garantimi i sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës ka rëndësi të madhe në aspektin e vendosjes së paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan”.
Takimi me Presidenten Osmani
Në takim me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, Osmani ka falënderuar atë për miqësinë dhe mbështetjen e shtetit turk për Republikën e Kosovës në çdo etapë e proces.
Osmani ka njoftuar se me ministrin kanë diskutuar për potencialin e bashkëpunimit përfshirë fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes, si dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjellë.
“Forcimi i partneritetit midis Kosovës dhe Turqisë mbetet përkushtim i përbashkët! “, ka shkruar Presidentja në faqen zyrtare të saj në Facebook.
Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, gjatë qëndrimit zyrtar në Prishtinë ka realizuar takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një postim nga llogaria e medias sociale X e ministrisë turke njoftohet se Fidan dhe Kurti u takuan në Prishtinë.
– Roli i Türkiyes në KFOR
Duke theksuar se KFOR-i, aktualisht nën komandën e Türkiyes, ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në vendosjen e sigurisë në rajon, Fidan tha se është krenari të shihet që Türkiye e vazhdon me sukses këtë mision.
Ai tha se Türkiye ka marrë vlerësimin e të gjitha palëve për këtë çështje dhe se janë të kënaqur me këtë. Fidan theksoi se me përmirësimin e kushteve të sigurisë do të hapet më shumë hapësirë për dialog dhe diplomaci.
Duke shprehur bindjen se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm me dialog, Fidan tha se përpjekjet e Türkiyes për të arritur normalizimin mes dy vendeve mbështeten plotësisht. Ai vuri në dukje rëndësinë e procesit të dialogut Beograd-Prishtinë dhe tha se Türkiye nuk do të hezitonte të merrte përgjegjësi në këtë drejtim nëse kërkohet nga palët.
Ai tha se vendi i tij i ofron mbështetje edhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në trajnim dhe me prodhimet e industrisë së mbrojtjes, duke shtuar se bashkëpunimi ushtarak dhe në fushën e industrisë së mbrojtjes do të vazhdojë fuqishëm edhe në periudhën e ardhshme.
Shefi i diplomacisë turke më tha se temë diskutimi ka qenë edhe lufta kundër organizatës terroriste FETO, duke theksuar se prania e këtij grupi në Kosovë vazhdon të jetë shqetësues për ta.
“Dëshiroj t’ju kujtoj se FETO është gjithashtu kërcënim për Kosovën. Një luftë e vendosur kundër FETO-s është e nevojshme për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës. Njëkohësisht, miqësia dhe vëllazëria e kërkojnë këtë”, deklaroi ai.
Fidan uroi 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës dhe u përcolli urimet e tij policëve të vendit./AA-Argumentum.al