Nga Etleva Xhajanka
Presidenti kinez, Xi Jinping do të zhvillojë vizita shtetërore në Paris, Beograd dhe Budapest këtë javë, në përpjekje për të nxitur marrëdhëniet tregtare me kontinentin europian.
Turi evropian i Presidentit Xi vjen në një moment kur Kina po i kushton vëmendje të lartë partneritetit me palën europiane dhe synon të thellojë bashkëpunimin e saj në Europë, duke përfshirë vendet ballkanike në fushën ekonomike, të mbrojtjes së mjedisit, të paqes etj.
Por nga ana tjetër dhe vendet europiane po përpiqen të balancojnë influencën kineze me dëshirën për investime të mëtejshme.
Sipas Eurostat, Kina ishte destinacioni i tretë më i madh për eksportet e mallrave të BE-së dhe është burimi më i madh i importeve në Evropë, duke zënë 22% të totalit.
Përtej të qenit një fuqi udhëheqëse ekonomike dhe tregtare, Kina po afirmohet gjithnjë e më shumë, në mënyrë të pashmangshme, një fuqi financiare globale.
Investimet e huaja direkte të jashtme globale të Kinës (IHD) janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, me Evropën si një destinacion kyç. Rritja e IHD-ve të jashtme kineze tregon një ribalancim të marrëdhënieve politiko-ekonomike globale, me Kinën dhe kompanitë e saj që marrin role të reja dhe fitojnë fuqi ekonomike, duke bashkuar kërkimet mbi ngritjen e kompanive shumëkombëshe kineze dhe aktivitetet e tyre në Evropë, që fokusohen në strategjitë e biznesit të investitorëve kinezë dhe në marrëdhëniet e punësimit në kompanitë me pronësi kineze në Evropë.
Investimet kineze në Evropë po kalojnë nga bashkimet dhe blerjet në projekte të gjelbërta kryesisht në industrinë automotive. Investimet në Greenfield përbënin 57% të totalit të investimeve të huaja direkte nga Kina në Evropë në vitin 2022, duke tejkaluar bashkimet dhe blerjet për herë të parë që nga viti 2008, sipas statistikave zyrtare.
Në këtë kontekst axhenda e diskutimeve të liderit Kines Xi me homologët europianë, në kushtet e zhvillimeve aktuale merr në vëmendje të ardhmen e marrëdhënieve midis BE-së dhe Kinës, si dhe perspektivat e tyre për bashkëpunim në skenën globale.
Thënë kjo, Franca është destinacioni i dytë europian, pas Italisë për investimet kineze, ndërkohë që në Serbi, kryesojnë investimet kineze, në industrinë e çelikut. Kina ka financuar në Serbi gjatë vitit 2017 projekte në vlerë prej rreth 6 miliadë Dollarë, që është e barbartë me investimet evropiane në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu planet kineze për ndërtimin e hekurudhave të shpejta në Hungari, si një win-win strategji, janë piketa për zhvillimin e partneriteteve mes dy vendeve.
Por Kina e ka zbuluar edhe tregun e Ballkanit si një mundësi shumë të mirë për zgjerimin e investimeve. Ndër shkaqet kryesore për futjen e Kinës në këtë treg, është potenciali që ka rajoni për zhvillimin e infrastrukturës kryesisht, por dhe zgjerimin e sipërmarrjeve në sektorë të tjerë të ekonomisë sipas modeleve të teknologjisë së përparuar.
Rruga e mëndafshtë
Kina në këtë mënyrë do të krijojë një ndërlidhje me rrugën prej Azisë, nëpër Afrikë e deri në Evropë.. Investimet kineze janë bërë në portet e Greqisë, në termocentralet e Bosnje-Hercegovinës, në Maqedoni. Ndërkohë që janë planifikuar edhe investime kapitale në Serbi, Hungari dhe vende të tjera, me të cilat ndërlidhen rrugët e mallrave kineze.
Nisma “Një brez, një Rrugë”, e promovuar gjithashtu nga Xi që në vitin 2013, synon të krijojë një rrjet mbresëlënës infrastrukturash tokësore dhe detare për të sjellë mallra dhe shërbime nga Lindja e Largët në tregjet e Europës Perëndimore, duke ripropozuar kësisoj dimensionin ekonomiko-tregtar të Rrugës së Mëndafshit në shekullin XXI.
Shqipëria pjesë e projektit ambicioz kinez, ‘Një brez, një rrugë’
Shtrirja e Kinës për të investuar në Evropën Qendrore dhe Lindore përmes strategjisë së projektit ‘Një brez, një rrugë’ e njohur ndryshe si Rruga e Mëndafshit, ka përfshirë në këtë projekt edhe Shqipërinë.
Nisma që u krijua në vitin 2013 përfshin miliarda dollarë investime nga Kina, e cila synon që të përmirësojë infrastrukturën rrugore në vendet përgjatë Rrugës së Mëndafshit, që lidh Kinën me Evropën.
Projekti që mban emrin ‘Rruga e Re e Mëndafshit’, bart në Itineraret e saj mbi 60 vende në Azi, Evropë dhe Afrikë. Rreth 1000 miliardë dollarë do të investohen në ndërtimin e rrugëve, porteve dhe centraleve energjetike. Projekti financohet nga një fond i posaçëm i krijuar enkas nga qeveria kineze dhe Banka Aziatike e Infrastrukturës dhe Investimeve, një bankë multilaterale zhvillimi, e krijuar me iniciativë të Kinës dhe që aktualisht ka 61 vende anëtare.
Duke u ndodhur në një pozitë gjeografike mjaft të favorshme, buzë deteve Adriatik e Jon, projekti “Një brez, një rrugë” dhe mekanizmi i bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, e sheh Shqipërinë si një vend me potencial të madh investimi, veçanërisht në shfrytëzimin e sektorit portual përgjatë Rrugës Detare të Mëndafshit në zonën e Mesdheut.
Në vitin 2017 Kina dhe Shqipëria nënshkruan dokumentin e bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” duke zgjeruar bashkëpunimin në fushat ekonomiko-tregtare, kulturore, arsimore, shëndetësore, të instituteve të studimit të politikave, të bashkëpunimit ndërmjet pushteteve vendore, të burimeve njerëzore etj.
Ky dokument bashkëpunimi është reflektuar edhe në investimet kineze në Shqipëri, të cilat kanë arritur afërsisht 900 milionë dollarë si dhe në numrin e turistëve kinezë që kanë vizituar Shqipërinë. Kështu vitin e fundit, 20 mijë turistë kinezë kanë vizituar Shqipërinë, me një rritje vjetore 60%, duke treguar potenciale të mëdha biznesi.
Duke iu referuar të dhënave, në vitin 2018, vëllimi tregtar midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka arritur 82.2 miliardë dollarë amerikanë, me rritjen prej 21%. Ndërkohë që investimet direkte ndërkombëtare ishin në rënie investimi i Kinës në 16 vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore është rritur me 67%. Këtu mund t’i referohemi projekteve si hekurudha Hungari-Serbi, ura Pelješaç në Kroaci, fabrika e çelikut Smederevo të Serbisë, autostrada veri-jug e Malit të Zi, autostrada e Maqedonisë së Veriut etj.
Gjithashtu më shumë se 6000 trenë të rinj të ChinaRailway Express po bëhen si nyje e rëndësishme e lidhjes së botës aziatike dhe Evropës dhe konkretisht vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Po ashtu, numri i turistëve kinezë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ka kaluar 1.4 milionë, kurse numri i turistëve që vijnë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Kinë ka kaluar 350 mijë.
Sa i përket infrastrukturës ndërlidhëse me Evropën, strategjia kineze, ‘Një brez, një Rrugë’ ka të bëjë me 4 korridore për të lidhur Kinën me Evropën:
– Korridori Tokësor Verior niset nga Pekini nëpër Mongoli, Siberi dhe arrin Moskën, Helsinkin, Berlinin dhe përfundon në Roterdam;
– Korridori Tokësor Qendror niset nga Shangai, përshkon përmes Kinën dhe ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore, Iranin, Turqinë dhe nga Stambolli futet në Ballkan për të përfunduar në Duisburg, Paris dhe Londër;
– Korridori Tokësor Jugor niset nga Guanxhou (Jugu i Kinës) dhe përfundon në portin e Kwadarit në kufirin jugor Pakistan-Iran.
– Korridori Detar parashikon lidhjen detare të Kinës me Indinë, Afrikën dhe me hyrje në Evropë nga porti i Pireut në Greqi.
Ndërkaq, duhet vënë në dukje se sipas studimit më të fundit të Bankës Botërore, bashkëpunimi mbi “Një brez, një rrugë” ka ulur koston tregtare globale me 1.1-2.2% dhe e ka ngritur rritjen ekonomike globale me të paktën 0.1% në vitin 2019.
Ekonomia e Kinës pati një fillim viti më të fortë se sa pritej
Ekspertët vlerësojnë se sot Kina përfaqëson një ekonomi të nivelit botëror dhe me synime të qarta. Nuk është thjesht çështja e rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) që u zgjerua me 5.3% në tre muajt e parë të 2024, krahasuar me një vit më parë, shifër kjo që i tejkaloi pritshmëritë. Kryesorja është që rritja ekonomike e Kinës, luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë botërore. Investimet në drejtim të infrastrukturës në vendet e përfshira në nismën “Një brez, një rrugë” dhe njëkohësisht investimet e saj jashtë vendit, janë duke kontribuar në rritjen ekonomike botërore. Shumë institucione ndërkombëtare vlerësojnë se Kina, do të kontribuojë më shumë se 30 % në rritjen ekonomike globale këtë vit, duke u bërë forca më e madhe nxitëse e ekonomisë botërore. Ndërkohë që industritë e përparuara të prodhimit dhe shërbimeve moderne, si energjia e re, ekonomia digjitale, inteligjenca artificiale, prodhimi i nivelit të lartë dhe shëndetësia janë fushat kryesore që zotërojnë investimet kineze në botë.
Zgjerimi i ekonomisë kineze me ritme shumë të larta është një faktor tejet pozitiv edhe për Europën.
Kina renditet sot partneri më i rëndësishëm tregtar i BE-së dhe turi evropian i Presidentit Xi, pritet të ridimensionojë pozitivisht bashkëpunimin ekonomiko-tregtar të BE-së me Kinën.
Gjatë dekadës së fundit, ritmi i rritjes së vëllimit tregtar të Kinës me vendet e Evropës Juglindore është mbi 8 % në vit. Po kështu në tremujorin e parë të këtij viti, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe 17 vendeve të Evropës Qëndrore e Lindore (një pjesë e të cilave janë pjesë e BE-së) është rritur me 50.2 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kina është bërë partneri kryesor tregtar në BE gjatë vitit të kaluar dhe ky trend vazhdon. Importet e BE-së nga Kina u rritën me rreth 5.6 %, ndërsa eksportet në 2.2 % .
Rritja e Kinës, pavarësisht sfidave është e konsoliduar dhe mbi baza të fuqishme. Kjo rritje po integrohet edhe në ekonomitë e vendeve evropiane, që kanë një shtim të komunikimit me Kinën.
Linjat hekurudhore të Kinës me vende brenda dhe jashtë BE-së, kanë sjellë shtim të fluksit të komunikimit me ndikim pozitiv për ekonomitë respektive.
Gatishmëria e sipërmarrjeve kineze për të rritur investimet dhe bashkëpunimin tregtar është një mundësi që i jep lidhjeve Kinë-BE fuqinë për t’u zhvilluar. Ata kanë mundësitë që të rrisin bashkëpunimin e partneritetin ekonomik e tregtar, duke injektuar potenciale të reja në rimëkëmbjen e ekonomisë botërore, por të rrisin ndikimin edhe në zhvillimin e ekonomisë me karbon të ulët dhe të teknologjisë digjitale. Fushat janë më të gjëra se kaq dhe mundësitë më të shumta pavarësisht sfidave.
© 2024 Argumentum