Genc MLLOJA
Pak kohë ka kaluar nga rikonfirmimi i angazhimit të Shteteve te Bashkuara nëpërmjet presidentit Joe Biden në një videotelefonatë me Presidentin e Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping se Uashingtoni i qëndronte politikës së “Një Kine” dhe nuk mbështet “pavarësinë e Tajvanit” duke mos synuar një konflikt me Kinën. Ky rikonfirmim e zotime të tjera se SHBA nuk kanë si qëllim të nisin një Luftë të Ftohtë të re midis Perëndimit e Lindjes, se nuk kërkojnë të ndryshojnë sistemin e Kinës ose të rigjallërojnë aleancat e tyre kundër Kinës u bënë publike në të dy vendet por edhe në mbarë botën.
Po ashtu gjetën jehonë deklarimet e Presidentit Xi se i vlerësonte seriozisht premtimet e presidentit Biden, por vuri në dukje se marrëdhëniet kino-amerikane po hasin gjithnjë e më shumë sfida. Në mënyrë të qartë Xi paralajmëroi se është jashtëzakonisht e rrezikshme që disa politikanë amerikanë dërgojnë sinjale të gabuara për forcat e “pavarësisë së Tajvanit”. Presidenti kinez u kërkoi Shteteve të Bashkuara ta vlerësojnë seriozisht çështjen e Tajvanit, duke thënë se nëse ajo nuk trajtohet siç duhet, lidhjet dypalëshe do të minohen. Pala amerikane ka bërë keqllogaritje e gjykime të gabuara lidhur me qëllimet strategjike të Kinës, deklaroi Presidenti kinez.
Në fakt shumë analistë, përfshi edhe mua, kanë shprehur rezerva rreth ‘sinqeritetit’ të fundit amerikan e personalisht shkruaja në një koment kohët e fundit se duhej pritur për të parë konkretisht sa serioz është Uashingtoni lidhur me trajtimin e çështjes se Tajvanit në kornizën e parimit “Një Kinë”, si për shume probleme të tjera në raport me Kinën por edhe më vende e rajone të ndryshme të botës.
Nuk vonoi shumë dhe pa u shuar jehona e deklaratave të Biden lidhur me mbështetjen amerikane ndaj qëndrimit “Një Kinë”, në fillim të prillit u njoftua se kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi do të bënte një vizitë në Tajvan pas një vizite së saj në Japoni sikurse njoftohet nga shtypi.
Edhe ushtruesit të nivelit më të ulët në politikë dhe diplomaci të ndonjë vendi nuk do ti lejohej të rrëshqiste në skandale të tilla diplomatike si rasti ‘Pelosi’ duke shkelur një ‘vijë të kuqe’ kineze dhe aq më shumë në një kohë kur rreziqet dhe pasojat e konfliktit të armatosur midis Rusisë e Ukrainës po shtohen dhe e kanë bërë botën, veçanërisht Evropën, më të paqëndrueshme ushtarakisht, politikisht dhe ekonomikisht.
Sikurse pritej përgjigja nga Pekini zyrtar për këtë hap aventuresk të zyrtares së lartë amerikane, që radhitet e treta në hierarkinë e shtetit amerikan, ka qenë qartësisht e prerë, pa mëdyshje në paralajmërime të forta ndaj një veprimi të tillë provokues në mbështetje të forcave separatiste në Tajvan, një provincë e Republikës Popullore të Kinës.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi paralajmëroi më 7 prill se pala amerikane do të mbajë të gjitha përgjegjësitë për pasojat nëse këmbëngul të ndjekë rrugën e vet, pas njoftimeve të mediave për vizitën e planifikuar të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan.
Në një bisedë telefonike me Emmanuel Bonne, këshilltar diplomatik i presidentit francez Emmanuel Macron, Wang dënoi “standardin e dyfishtë të hapur” të Shteteve të Bashkuara, që shkel haptazi vijën e kuqe të parimit të “Një Kine”, ndërsa kërkoi respektimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial në çështjen e Ukrainës.
“Nëse Pelosi, një udhëheqëse politike e Shteteve të Bashkuara, viziton me vetëdije Tajvanin, ky do të ishte një provokim keqdashës ndaj sovranitetit të Kinës dhe ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme të Kinës, dhe do të dërgonte një sinjal politik jashtëzakonisht të rrezikshëm për botën e jashtme”, deklaroi prerazi kryediplomati kinez.
Ndërkohë një ditë më parë (6 prill) Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian paralajmëroi se SHBA-ja duhet të zbatojë rigorozisht parimin e ‘Një Kine’ dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane, duhet të anulojë menjëherë planin e vizitës së kryetares Pelosi në Tajvan, të ndalojë lidhjet me autoritetet tajvaneze dhe të mbajë premtimet për mospërkrahjen e ‘pavarësisë së Tajvanit’. “Nëse SHBA-ja këmbëngul në rrugën e saj, Kina medoemos do të marrë masa të forta dhe do të mbrojë në mënyrë të vendosur sovranitetin dhe tërësinë e vet territoriale, dhe të gjitha pasojat e shkaktuara nga kjo duhet të mbahen nga SHBA-ja”, tha Lijian.
Një analizë e thjeshtë do të shtronte pyetjen nëse kemi të bëjmë me një disakordancë në skenën politike amerikane kur kujton se ndërsa Presidenti Biden i deklaroi Xi-së se Uashingtoni i qëndronte politikës së “Një Kine” dhe në të njëjtën kohë është i gatshëm të komunikojë me Pekinin për çështjen e Ukrainës për të parandaluar përshkallëzimin e krizës, numri tre i politikës amerikane i përvishet ndërmarrjes së një provokacioni paprecedent – vizitë pompoze në Tajvan, duke ditur që cënon rëndë në mënyrë të patolerueshme sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Popullore të Kinës. Zor se ndokush mund të mendojë se Pelosit i erdhi ndërmend Tajvani pikërisht këto ditë; nuk ka dyshim se kjo vizitë, aq më shumë kur nis në Tokio, është rakorduar me kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe veçanërisht me qarqet permanente armiqësore ndaj Kinës në të dy kampet politike dhe të biznesit, që komandojnë nën rrogoz administratat amerikane. Është rasti për ta përmendur se duket akoma disa ‘strategë’ amerikanë vazhdojnë të mos e kenë të qartë se deri ku shkon paralajmërimi kinez i ‘vijës së kuqe’ e përmendur edhe më sipër.
Por një ngjarje nuk ka se si të mos ketë tërhequr vëmendjen e qarqeve politike, diplomatike e mediatike në SHBA por edhe në mbarë botën se ndërsa motorët e avionit ishin ndezur për të dërguar Pelosin në Tajvan u njoftua se ajo ishte prekur nga virusi Covid. Dhe në këtë rast është shtruar ‘gjëagjëza’: është sëmundja Covid apo ndonjë Covid diplomatik që e ka ‘shtyrë’, sipas disa njoftimeve të shtypit, udhëtimin e shefes se Dhomës së Përfaqësuesve në Tajvan. Në rast sëmundje urimi është shërim i shpejtë, kurse në rast se është ‘Covid diplomatik’ më mirë do të ishte që atë shtyrjen ta kthente në anullim të një ndërmarrje të tillë.
Karakteri anti-kinez i veprimeve politike e diplomatike të SHBA-së nëpërmjet Pelosit e kompani në kuadër të demarrshit të saj për të bërë një vizitë në Tajvan nuk mund të jenë të shkëputura nga furnizimi intensiv i separatistëve tajvanezë me armatime. Rasti më i fundit është miratimi nga SHBA i vendimit që t’i shesë Tajvanit të Kinës programin e mbështetjes teknike për raketat “Patriot” me vlerë prej afro 95 milionë dollarësh amerikanë. Kjo është shitja e tretë e armëve nga administrata e tanishme amerikane, vetëm dy muaj pas asaj të fundit.
Pikërisht në këto situata të tensionuara në shumë aspekte dhe në rastin konkret përballë provokacionit të politikanes së lartë amerikane Pelosi si dhe të furnizimeve ushtarake amerikane për Tajvanin, Bashkimi Europian jo rastësisht rikonfirmon qëndrimin e tij parimor të “Një Kine”.
“Unë dua të ritheksoj se BE-ja i përmbahet politikës së ‘Një Kine’ dhe të gjitha vendet anëtare të saj nuk do të shmangen dhe nuk duhet të shmangen nga ky qëndrim. BE-ja dhe Kina duhet të forcojnë njohjen e ndërsjellë dhe të shfaqin frymën e miqësisë dhe të bashkëpunimit”, deklaroi qartë e drejtpërdrejtë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Josep Borrell Fontelles në një videotakim me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi më 29 mars.
Borrell tha se BE-ja dhe Kina janë forca të rëndësishme strategjike në botë dhe shtylla të rimëkëmbjes ekonomike globale. Sipas tij, tani marrëdhëniet dypalëshe përballojnë disa probleme, por BE-ja po përpiqet t’i përmirësojë këto marrëdhënie.
Nga ana e tij Wang Yi u shpreh se Kina është e shqetësuar për vijimin e luftës në Ukrainë. Pala kineze mban qëndrimin e qartë të nxitjes së paqes dhe dialogut. Faktet kanë vërtetuar se mendësia e Luftës së Ftohtë nuk ka rrugëdalje në Europë dhe sanksionet ekstreme do të shkaktojnë vetëm dëme të ndërsjella, duke e ndërlikuar situatën. Kina dëshiron të bëjë përpjekje së bashku me palët e ndryshme për të nxitur pushimin sa më parë të konfliktit ruso-ukrainas dhe për rivendosjen e paqes në Europë, deklaroi shefi i diplomacisë kineze.
E një vështrim i jashtëm i paanshëm i ngjarjeve në zhvillimet e konfliktit ruso-ukrainas dëshmon se çdo veprim diplomatik, politik dhe ekonomik në plan dypalësh, rajonal apo ndërkombëtar ka bërë që pozicioni i Kinës të vlerësohet si unik dhe si i tillë është konsideruar se mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës në mënyrë paqësore midis Rusisë dhe Ukrainës.
Mirëpo fryma e nxitjes së Luftës së Ftohtë në Uashingtonin zyrtar ndihet edhe në nivele të tilla si të sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki më 22 mars 2022 sipas të cilës “nëse Kina mbështet sjelljen agresive të Rusisë (ndaj Ukrainës), do të përballet me pasoja të rënda”.
Pikëspari kjo deklaratë është një shtrembërim dhe njollosje e pozicionit të Kinës për situatën në Ukrainë sepse veprimet diplomatike kineze dëshmojnë se Kina ka mbajtur marrëdhënie të mira me Rusinë e Ukrainën dhe është shprehur qartë kundër luftës dhe ka kërkuar realizimin e paqes nëpërmjet bisedimeve. Madje janë bërë thirrje edhe nga autoritetet e Kievit për kontributin e Kinës në kapërcimin e këtij konflikti. Për më tepër Kina ka dërguar ushqime, barna, dyshekë-thasë për popullin ukrainas si dhe qumësht pluhur për fëmijët, dhe jo armë e municione për cilëndo qoftë nga palët sikurse veprojnë disa fuqi perëndimore ndër të cilat ka, sipas të dhënave të shtypit, vende që e nxisin vazhdimin e këtij konflikti. Autoritetet ukrainase i kanë vlerësuar ndihmat humanitare kineze.
Nga ana tjetër deklarata e Psaki-t mbart edhe arrogancën e politikës amerikane që akoma i shikon botën dhe zhvillimet ndërkombëtare si domen të Uashingtonit dhe që i ka rrënjët tek koncepti hegjemonist i SHBA si fuqia numër një në rruzullin tokësor. Në emër të shtetit të saj ajo cënon e kërcënon pa pikë përgjegjësie sovranitetin dhe pavarësinë e politikës së jashtme të Kinës, fuqia e dytë më e madhe në botë me një popullsi prej 1.4 miliard njerëzish dhe me një ushtri super moderne në mbrojtje të vendit.
Ndërkohë gjërat kanë ndryshuar në të katër cepat e botës, dhe ka qarqe edhe brenda Amerikës që e kanë kuptuar dhe e shikojnë një realitet të tillë në sy se koha e ‘Xhandarit ndërkombëtar’ ka kaluar, është e shkuara e hidhur e njerëzimit. Jo shumë kohë më parë, uebsajti amerikan “The National Interest” deklaroi se mënyra si i mendon qeveria amerikane marrëdhëniet ndërkombëtare po ringjall modelin e Luftës së Ftohtë, çka do të çojë vetëm në një sërë problemesh të mëdha globale, pa arritur gjendjen e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta.
Në këtë kuadër shtrohet pyetja se a kanë bazë logjike pretendimet e disa qarqeve amerikane se Tajvani është rreziku më i madh në marrëdhëniet kino-amerikane? Tajvani nuk është protektorat i SHBA – së dhe kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk është guvernator i kësaj province të Republikës Popullore të Kinës. Tajvani ka qenë pjesë e pandarë e Kinës dhe sikurse kanë rrjedhur ngjarjet me Hong Kongun e Makaon edhe kjo provincë do ti bashkohet atdheut mëmë në kohën e duhur. Kësisoj ajo pjesë e Kinës nuk mund të përbëj rrezik në marrëdhëniet e Kinës as me SHBA, as me Japoninë, e as me ndonjë vend tjetër të botës. Një aludim i tillë e ka burimin në Uashington prej të cilit Kina ka patur shumë probleme ndër të cilët mund të kujtojmë bllokimin absurd të vendit të saj të ligjshëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të cilës iu bashkua në vitin 1971 pas 21 votimesh në Asamblenë e Përgjithshme të saj. Ky lloj pretendimi është pjesë e skenarit amerikan për të mbajtur në tension marrëdhëniet midis Kinës e SHBA-së, midis dy popujve të të dy vendeve. Por si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen e të ardhmen politika jo miqësore amerikane ndaj Kinës dhe popullit të saj të madh është e destinuar të dështojë, të mbetet histori e errët për brezat e ardhshëm se të tashmit po e jetojnë.
Kina nuk ka qënë dhe nuk është rrezik për SHBA, përkundrazi me veprimet e shtuara jo miqësore të viteve të fundit Uashingtoni po tensionon më tej situatën duke ndërmarrë edhe veprime që cënojnë hapur jo vetëm sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit, por edhe integritetin, frymën patriotike e ndjenjat atdhedashëse të 1.4 miliard kinezëve, të cilët, sikurse e ka dëshmuar historia, nuk lejojnë kurrë shkeljen e ‘vijës së kuqe’. Prandaj do të ishte më e udhës që Znj. Pelosi të mos e marr rrugën për në Tajvan pas ‘shërimit’ në mënyrë që të mos shkelet në paprekshmërinë e tërësisë territoriale të Republikës Popullore të Kinës./cri