Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, ka thënë të enjten në Prishtinë se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj duke përmendur këtu procesin e njohjeve të reja.
Gjatë një prononcimi për media me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, më 4 janar në Prishtinë, Cameron ka theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon në këtë.
Ai ka thënë se Britania e Madhe është e gatshme për të vazhduar ndihmën për Kosovën në këtë drejtim. Tutje ai ka specifikuar fushat për të cilat kanë folur me Gërvallën.
“Ne jemi krenarë me faktin se Britania luan një rol të madh në KFOR. Ne kishim mbi 600 trupa britanike këtu këtë vit. Ne jemi krenarë për trajnimin dhe mbështetjen që po u japim forcave tuaja të armatosura dhe suksesin e madh që ata kanë pasur në stërvitje në Mbretërinë e Bashkuar. Kemi folur për sigurinë, për ekonominë tuaj e cila po tregon rritje të mirë këtë vit dhe ne duam të bëjmë më shumë për t’ju ndihmuar ekonomikisht, për t’ju ndihmuar të siguroni punë dhe mjete jetese për njerëzit tuaj. Dhe ne kemi folur për luftën tuaj kundër korrupsionit dhe atë që po bëni për të vendosur sundimin e ligjit dhe për të ndërtuar qeverisjen e mirë këtu në Kosovë”, ka deklaruar kryediplomati britanik, transmeton RTKlive.
Tutje ai ka thënë se janë përkrahës të Kosovës, e cila ka të drejtë të jetë pjesë forumeve ndërkombëtare.
“Jemi këtu që t’iu mbështesim, t’iu promovojmë dhe t’iu ndihmojmë në çdo mënyrë që ne mundemi. Keni pasur sfida të forta në korrupsion, por sfida kryesore është për të ndërtuar një shtet i cili është i sigurt për të gjitha komunitetet. Jemi një përkrahës i madh i pavarësisë së Kosovës, sovranitetit tuaj dhe Kosova ka të drejtë që të njihet nga të tjerët si një vend i plotë sovran dhe anëtar i familjes së kombeve. Sigurisht do t’ju ndihmojmë në betejën për t’u njohur në forume ndërkombëtare, që është e rëndësishme dhe e meritoni. Kemi pasur një takim të mirë me kryeministrin tuaj mbrëmë. Mezi pres të takohem me presidenten tuaj dhe do të takohemi me trupat tona dhe të tjerët më vonë sot”, tha Cameron.
Gërvalla: Ekziston një konsensus që Kosova është pjesë e Perëndimit
Në një konferencë për media të enjten në Prishtinë pas takimit me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Gërvalla ka thënë se ekziston një konsensus që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit.
“Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, ka thënë Gërvalla gjatë konferencës me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron.
Gërvalla, tha se e njoftoi sekretarin Cameron për zhvillimet në vend dhe falënderoi atë për ndihmën e dhënë Kosovës nga Britania e Madhe si para ashtu edhe gjatë luftës.
“Duke e njoftuar për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës, vitin e kaluar me 24 shtator, në veri të vendit, shpreha mirënjohjen për reagimin e shpejtë dhe dërgimin e trupave shtesë të Mbretërisë së Bashkuar , duke e vlerësuar këtë si një sinjal të domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin”, tha Gërvalla
Ajo shtoi se pas BREXIT-it Britania e Madhe ka një rol të qartë global dhe për këtë po punojnë që Kosova të jetë një partner strategjik.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Cameron është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.
“Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Cameron me progresin dhe arritjet e Kosovës, veçanërisht në tri vitet e fundit, sa në aspektin ekonomik ashtu edhe demokratik e të sundimit të ligjit. Foli për sukseset dhe sfidat e vitit 2023 dhe përkushtimin e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik krahas luftimit të krimit dhe korrupsionit, ngritje të mirëqenies së qytetarëve përmes punësimit dhe politikave të duhura sociale, dhe garantim të sigurisë dhe paqes në vend përballë sjelljes agresive dhe kërcënuese të Serbisë”, thuhet në njoftim.
Ai e falënderoi Sekretarin Cameron për kontributin e tij edhe sa ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës në çlirimin, pavarësimin, demokratizimin, zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar, dhe tash së fundmi në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë me zbarkimin e 200 ushtarëve britanikë në tetor të vitit të kaluar në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.
Sekretari Cameron shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen në këtë vizitë, që përveçse është e para e tij në Kosovë, është edhe e para për të jashtë vendit për vitin 2024. Ai u shpreh krenar për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës dhe për vendimin dhe qëndrimin për ta njohur sovranitetin dhe pavarësinë e saj.
Presidentja Osmani falënderoi sekretarin Cameron për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen diplomatike në procesin e integrimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare.
“Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.
Ngjashëm, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut.
Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me ç’rast Presidentja Osmani e informoi sekretarin Cameron për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator.
Presidentja falënderoi sekretarin Cameron për shtimin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e kufirit me Serbinë.
Në këtë drejtim, Presidentja foli edhe për grupet terroriste, të mbështetura nga Beogradi, të cilat vazhdojnë të krijojnë frikë dhe intimidim brenda komunitetit serb.
Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është shembull në rajon sa i përket të drejtave të komunitetit joshumicë, ndërsa riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës për ta fuqizuar çdo qytetar, pa dallim”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.
“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve”.
“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.
Cameron ka thënë se në Kosovë, vitin që shkoi, ishin 600 trupa britanike në kuadër të misionit të KFOR-it. Britania e Madhe, po ashtu, trajnon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kjo është vizita e parë e një Sekretari të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë që prej vitit 2016. Në Prishtinë, Sekretari Cameron po shoqërohet nga i dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.
/Argumentum.al