Në kuader të vizitës zyrtare të delegacionit nga Republika e Bullgarisë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt mbledhje plenare të kryeministrave të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe ai i bullgarisë, Kiril Petkov, së bashku me anëtarët e dy qeverive, shkruan Zhurnal.
Pas seancës plenare u mbajt dhe konferenca për media të dy kryeministrave Kovaçevski dhe Petkov.
Kovaçevski në konferencë konfirmoi se është larguar përfundimisht dilema rreth emrit e gjëja e ardhshme që duhet të bëhet është të finalizohet marrëveshja për bashkëpunim ndërkufitar për periudhën 2022-2029, ku projekti më i rëndësishëm është hapja e kufirit “Klepalo”.
Bullgaria ka pranuar të përdorë emrin e shkurtuar të shtetit, Maqedonia e Veriut, ashtu sikurse emrin e gjatë Republika e Maqedonisë së Veriut.
Për këtë ishin dakorduar dy kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov në takim që është mbajtur sot në Shkup.
“U pajtuam që Bullgaria të pranojë emrin e shkurtër – Maqedonia e Veriut ashtu sikurse emrin e gjatë Republika e Maqedonisë së Veriut. Bullgaria nuk do ta pengojë më përdorimin e emrit të ri në asnjë institucion dhe për këtë i ka njoftuar Kombet e Bashkuara”, tha Kovaçevski.
Nga ana tjetër siç tha kryeministri, Maqedonia e Veriut ka dërguar notë verbale deri te KB ku konfirmon se dy emrat janë valide njëlloj dhe se përdorimi i emrit të shkurtër nuk ka asnjë implikim për pretendime territoriale.
Tani sipas tyre, hapi tjetër i rëndësishëm që duhet të realizohet është që të hapet vendkalimi i ri kufitar “Klepalo”.
Kryeministrat u dakorduan që edhe javën tjetër të mbahet një seancë e përbashkët qeveritare ku do të formohen grupe punuese. Kovaçevski tha se me Petkovin kanë qëllim të përbashkët, të krijojnë kushte për të ardhme më të mirë për qytetarët e dy vendeve, informon Zhurnal.
“Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë dy shtete të afërta fqinje ndërsa maqedonasit dhe bullgarët janë dy popuj miq dhe shumë të afërt dhe për këtë sot si dy kryeministra u pajtuam se hyjmë në një dinamikë intenzive në zgjidhjen e çështjeve të hapura”, tha Kovaçevski.
Sa i përket gjuhës maqedonase, kryeministri bullgar Petkov tha se gjuha maqedonase ka definnicion të qartë në marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe ata do ta mbështesin atë marrëveshje.
Ai thotë se është e drejta e qytetarëve të Maqedonisë të vendosin se çfarë gjuhe flasin.
Në marrëveshjen për fqinjësi të mirë ka definicion të qartë për gjuhën dhe në këtë drejtim absolutisht e mbështesim vetvendosjen e qytetarëve të RMV-së si dhe përdorimin e të gjitha gjuhëve që janë të përfshirë në Kushtetutë. Kemi mirëkuptim të plotë për këtë dhe vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha çështjet në këtë frymë konstruktive”, thotë Petkov.
Petkov gjithashtu paralajmëroi se në afat prej 2 muajve do të vendoset linjë ajrore Shkup-Sofje me qëllim që dy popujt ët lëvizin më lirshëm.
“Për 30 ditë do të kemi specifikimet, ndërsa për 60 ditë do të funksionojë. Kur të fillojmë të punojmë me rezultate dhe kur t’u japim mundësi njerëzve të dy vendeve lirshëm të lëvizim të punojnë, të gjithë do të fitojmë shumë”, thotë Petkov.//Zhurnal.mk