Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet për një vizitë zyrtare në Kroaci. Ai u prit nga homologu kroat, Andrej Plenkoviq.
Pas takimit, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, ka theksuar se në takim është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, të cilat janë tradicionalisht miqësore dhe të mira, raporton RTK.
Sipas tij, fokusi ishte në ato tema që lidhin të dy vendet.
Ai theksoi se qeveria kroate është e kënaqur me pjesëmarrjen e ushtrisë kroate, në KFOR. Sipas tij, për momentin në Kosovë janë më shumë se 15 ushtarë kroatë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vizitën në Kroaci e ka vlerësuar shumë të rëndësishme. Pas takimit me homologun e tij kroat, Kurti ka thënë se në takim është biseduar për mundësitë e formave të reja të bashkëpunimit ndërmjet vendeve.
Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme ta thellojë edhe më tej këtë bashkëpunim.
“Kosova dhe Kroacia kanë një miqësi të sinqertë, një partneritet të fortë. Dhe sigurisht, e gjitha bazohet në vlerat tona të përbashkëta. Ne besojmë në vlerat demokratike dhe e kemi drejtuar atë përmes integrimit euroatlantik në tërësi. Kroacia, e cila ishte shumë e guximshme, populli kroat arriti të ndërtojë një shoqëri funksionale pas çlirimit dhe të integrohet me sukses në të gjitha institucionet ndërkombëtare, dhe ky është një frymëzim i madh për të gjitha ato kombe që përpiqen të ndërtojnë një shoqëri të drejtë, demokratike, funksionale që do të mundësojë mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj. Për këtë jemi shumë mirënjohës dhe vlerësojmë bashkatdhetarët tanë, të cilët dhanë një kontribut të madh në luftën atdhetare në Kroaci, në mesin e të cilëve shumë humbën jetën, ndër të cilët ka edhe të zhdukur”, ka theksuar Kurti.
Kurti e ka falënderuar Kroacinë për kontributin e saj aktiv në sigurinë e Kosovës, përmes pjesëmarrjes së ushtrisë kroate në misionin paqeruajtës.