Me ftesë të kryebashkiakut të Cetinjës, z. Aleksandër Kascelan, në datë 28 janar bëri një vizitë në qytetin e Cetinjës kryetari i ZCGA-së z. Marinko Culafic.
“Bashkëpunimi ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe diasporës, veçanërisht atyre që jetojnë në rajon, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe duhet të forcohet. Historia, kultura dhe feja ofrojnë një hapësirë të konsiderueshme për bashkëpunim, por nuk duhet lënë pas dore fusha e arsimit, e bashkëpunimit përmes shkencës, sportit dhe fusha të tjera. Si qendër historike dhe kulturore e Malit të Zi, bashkia e Cetinjës do të përpiqet të kontribuojë në forcimin e lidhjeve me diasporën, si pjesë e kompetencave dhe aftësive të saj”, theksoi z. Kascelan, duke shtuar se vetëqeverisja lokale mbështet synimin e shoqatës së Komunitetit malazes dhe Matica Crnogorska për të festuar 21 majin, Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, në Elbasan.
Culafic vuri në dukje përpjekjet e komunitetit malazez në Shqipëri për të mbledhur malazezët dhe përmes aktiviteteve të ndryshme të kontribuojë në ruajtjen e identitetit malazez, promovimin e kulturës dhe historisë, por edhe në forcimin e bashkëpunimit si me atdheun ashtu edhe me vendin ku ata jetojnë.
“Ne kemi mbështetjen e autoriteteve kombëtare shqiptare, gjithashtu Matica Crnogorska është një mbështetje jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, por mbështetja e Malit të Zi mund dhe duhet të jetë më e rëndësishme. Komuniteti malazez në Shqipëri mund të jetë një lidhje mes dy vendeve dhe dy popujve dhe ne përpiqemi të jemi të tillë përmes aktiviteteve tona”, tha Culafic.
Në takim u diskutua edhe për situatën sfiduese në rajon dhe se është e rëndësishme të ruhen marrëdhëniet e mira fqinjësore, të promovohen traditat e të gjitha pakicave kombëtare në vendet tona, në përputhje me vlerat evropiane dhe përkushtimin e të gjitha vendeve të rajonit ndaj Bashkimit Evropian.
Në fund të vizitës, kryetari i shoqatës “Komuniteti malazez në Shqipëri” dhe përfaqësuesi i Matica Crnogorska z. Blagoje Zlatjcanin, vendosën një kurorë me lule në monumentin e Lovcenska Vila, e ngritur në kujtim të patriotëve malazezë që u nisën për të ndihmuar në mbrojtjen e Malit të Zi në Luftën e Parë Botërore dhe që vdiqën tragjikisht në Medova.