Nga Dr. Jorgji KOTE
Mjeshtër i Madh në diplomaci
Më 5 – 10 Maj 2024, Presidenti kinez Xi Jinping do të vizitojë Parisin, Beogradin dhe Budapestin. Ky tur kinez i nivelit më të lartë në Europë përbën një ngjarje të shënuar politike. Kur Europa ka hyrë në fushatën e zgjedhjeve përcaktuese për Parlamentin Europian më 6 – 9 Qershor. Ndërkohë që po kërkon përgjigje për sfida të shumta, ku megjithë tensionet ekzistuese, kontributi kinez është i domosdoshëm. Mjaft të përmendim ndryshimet klimatike, tregtinë botërore, krizën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, të cilat janë vendimtare për paqen, sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Ndalesa e parë dhe kryesore e Presidentit Xi Jinping në Paris rikonfirmon marrëdhëniet dhe rolin e veçantë kino-franceze në skenën botërore. Kjo “vizitë shteti” d.m.th me ceremonialin më të lartë protokollar përkon me 60-vjetorin e marrëdhënieve të tyre diplomatike; një mundësi dhe sfond i përshtatshëm historik për bisedime me qasje konstruktive, megjithë “ujërat e turbulluara” që kanë rrjedhur vitet e fundit. Kina është partneri i tretë më i madh për Francën në Azi; të dyja janë anëtare të përhershme e KS të OKB-së, me shumë ndikim në institucionet e tjera ndërkombëtare. Dihet se Presidenti Macron ka shprehur dëshirën që çdo vit të vizitojë Pekinin dhe të ftojë homologun kinez në Paris.
Ndalesa e dytë në Beograd dëshmon se Serbia është mjaft aktive në marrëdhëniet me Kinën, sidomos në Projektin “Një brez një rrugë”. Veç kësaj, siç e cilësojnë dhe BE me SHBA, Serbia është vend kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, ku Kina tregon vëmendje të posaçme. Në vitin 2009 Pekini nënshkroi me Beogradin një aleancë strategjike dhe marrëveshjen e parë të tregtisë së lirë me një vend të Europës Qendrore dhe Lindore.
Edhe ndalesa në Budapest tregon nivelin e lartë të marrëdhënieve me Hungarinë, përfaqësues i Europës Qendrore dhe Lindore dhe aktive në mekanizmin e bashkëpunimit Kinë-EQL, me tregues domethënës në fusha jetike dypalëshe.
Nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë, Kina synon të forcojë bashkëpunimin dhe partneritetin me Europën Qendrore dhe Lindore.
Sfondit dhe “skenografisë” së kësaj vizite i kanë paraprirë takimet nëntorin e kaluar në SHBA me Presidentin Joe Biden, çka solli ulje të tensioneve mes tyre; dhjetorin e kaluar Xi Jinping priti në Pekin të tri krerët e BE-së, më 15 Prill Kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe më 25 Prill Sekretarin amerikan të Shtetit Blinken, mbas rritjes së tensioneve dypalëshe.
Pa dyshim që vizita e tanishme është një rast i volitshëm për të analizuar politikat e këtyre tri vendeve dhe ato perëndimore në përgjithësi ndaj Pekinit; pse jo, duke parë realisht dhe se ku dhe si ato kanë gabuar dhe pasojat, pa përjashtuar dhe “mëkatet“ kineze. Mbi këtë bazë, të ofrohen zgjidhje të qëndrueshme, veçse me pragmatizëm realpolitik, jo me ballafaqime ideologjike dhe ushtarake.
Për disa arsye bindëse besohet se kjo vizitë do të mishërojë diplomacinë e njohur kineze të “sharmit dhe fuqisë së butë“. Ajo ka të ngjarë të shoqërohet me demarshe pozitive, me tone të moderuara, në përpjekje për të çtendosur dhe qetësuar situatat dhe me vështrim nga e ardhmja bashkëpunuese. Me një ndër synimet kryesore, sqarimin dhe sheshimin e keqkuptimeve dhe keqperceptimeve për të gjitha palët.
Pritet që Presidenti Xi Jinping të përcjellë mesazhe afruese dhe pajtuese, duke u ndalur kryesisht në komponentët bashkues, duke lënë mënjanë vijat ndarëse.
Presidenti Xi Jinping i mëshon idesë se tani që bota ka hyrë në një epokë turbulencash dhe rreziqesh deri te ato bërthamore, bashkëpunimi midis liderëve të fuqive të mëdha është domosdoshmëri parësore urgjente.
Ndaj pritet që ai të ripërtërijë mesazhin që “së bashku mund t’i japim më shumë stabilitet dhe siguri botës”.
Kjo vlen veçanërisht për luftën në Ukrainë, e cila sidomos në Paris do të jetë në krye të “menusë“ presidenciale, në përpjekje për të përafruar këndvështrimet e ndryshme të palëve. Më konkretisht, lidhur me Konferencën e Paqes, e propozuar për t’u mbajtur në Zvicër më 15 – 16 Qershor, Kina kërkon praninë e Rusisë; ndryshe konferenca nuk ka kuptim ose duhet të ketë emër tjetër por sërish pa kuptim. Këtu do përmendur fjalia domethënëse e Presidentit kinez ”të gjithë në tryezë dhe asnjë në kartën e menusë” çka nënkupton praninë ruse por ndoshta dhe kundërshtimin nën zë të pushtimit të Ukrainës. Kjo çështje është përcaktuese për marrëdhëniet e Perëndimit me Kinën dhe fatet e luftës në Ukrainë. Ndaj, diplomacia perëndimore e krizës duhet t’i dëgjojë të gjithë aktorët dhe faktorët, pa përjashtuar asnjë alternativë, ca më tepër kur vjen nga Kina.
Aspekt tjetër madhor, sidomos gjatë takimit me Presidentin Macron, do të jetë forcimi i marrëdhënieve kino-europiane, pa dëmtuar por dhe pa qenë të varur totalisht nga aleanca me SHBA-të. Mbas vizitës vitin e kaluar në Kinë, por dhe më 24 Prill në Sorbonë, Macron nënvizoi ”autonominë strategjike”; duke u shprehur kundër krizave që nuk i takojnë Europës dhe që pengojnë funksionimin e saj”. Kjo është një pikë delikate për BE-në, nisur nga interesat e sigurisë me SHBA-të, për të cilat Kina shpreh mirëkuptim dhe po tregohet më realiste kohët e fundit, pavarësisht kritikave hera herës me doza të tepruara për këtë varësi europiane.
Gjithsesi, Presidenti Xi do të përqendrohet në dosjet më të rëndësishme politike, diplomatike, ekonomike dhe kulturore; diçka e natyrshme, mbasi aty çështjet me përfitim dhe interes të përbashkët janë mbizotëruese; por dhe dallimet apo kundërshtitë kapërcehen më lehtë, duke ndihmuar në zgjidhjen e problemeve më komplekse.
Kina mbron pikëpamjen se ”për aq kohë sa do t’i përmbahemi respektit të ndërsjellë dhe kërkimit të elementëve të përbashkët, pavarësisht diferencave përkatëse, marrëdhëniet dypalëshe mund të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme”.
Më konkretisht, Presidenti Xi Jinping do të përsëritë mesazhin e Samitit BE – Kinë dhjetorin e kaluar në Pekin se “ndarja“ e marrëdhënieve dhe de-riskimi me Kinën nuk janë opsione realiste dhe produktive“. Apo siç theksoi gjatë takimit me Kancelarin Scholz në Pekin “ Marrëdhëniet me Kinën nuk janë risk, por shans dhe mundësi zhvillimi”. Në këtë drejtim, Kina kërkon dialog të vazhdueshëm në vend të sanksioneve dhe reprezaljeve ekonomike, të cilat nuk kanë dhënë rezultate.
Ja pse nga Franca, por dhe vendet e tjera perëndimore në marrëdhëniet me Kinën kërkohet realizëm gjeopolitik. Strategjitë e reja të disa vendeve perëndimore e cilësojnë Kinën partnere, konkurrente dhe rivale sistematike, ndërsa pretendimet e tyre për një “politikë të jashtme të mbështetur në vlera dhe parime” tingëllojnë vërtet “muzikë e bukur“. Mirëpo, siç kanë ardhur punët, zbatimi i tyre në praktikë dhe veçanërisht në fushën jetike ekonomike dhe të investimeve dypalëshe është pothuajse i pamundur.
Këto faktorë ndoshta ndikuan që Kancelari Scholz ta niste vizitën tre ditore në Kinë në Schongqingun tregtar, ndër qytetet më të mëdha të botës me 32 milion banorë, ku janë aktive 84 kompani gjermane, vijoi në Shangain ekonomik dhe përfundoi në Pekinin politik. Dhe kjo ishte vizita e dytë e tij brenda 2 viteve, ndërsa paraardhësja e tij, Kancelarja Merkel ishte atje plot 14 herë në 16 vite në pushtet!
Këtu nga Perëndimi kërkohet në radhë të parë sinqeritet, “për të mos i rënë në qafë“ Kinës për çdo gabim gjeopolitik. Qoftë dhe për shpenzimet ushtarake, kur sipas të dhënave të Institutit suedez për Paqe për vitin 2023, Kina zë vetëm 12 për qind, ndërsa SHBA-të 37 për qind të këtyre shpenzimeve botërore; mbi gjysmën e tyre e zënë vendet e NATO-s!
Më tej, nuk ia ka fajin askush Gjermanisë, Francës dhe BE-së në përgjithësi për varësinë e tyre të madhe ekonomike nga Kina, ndonëse dhe përfitimet e tyre kanë qenë të konsiderueshme. Kështu, vitin e kaluar, shitjet gjermane në Kinë përfaqësonin 48,5 për qind të eksporteve europiane; ose 99,8 për qind e eksportit francez të konjakut shkon në Kinë. Mirëpo, ekonomia për gjermanët, francezët dhe krejt Europën tani është kthyer në faktor vendimtar për mbijetesën e qeverisë dhe suksesin në zgjedhje. Gjatë vitit 2023, BE-ja pati një rritje ekonomike 1 për qind, Gjermania 0,1 nga 1, 3 për qind e parashikuar, ndërsa ajo franceze 0,8 për qind, nga 2,9 për qind më 2022. Ndërsa ekonomia kineze u rrit 5,3 nga 4,5 për qind e parashikuar. Kështu, për të tetin vit rresht, Kina është partneri më i madh tregtar për Gjermaninë dhe i treti më i madh për Francën në Azi. Rrjedhimisht, pa eksporte dhe investime në Kinë, ekonomitë europiane, sidomos ajo gjermane dhe franceze, etj. kanë pak shanse të mbijetojnë; mirëpo mbas tyre fshihen premtime të shumta zgjedhore.
Pohimi i Ding Chun, profesor i studimeve europiane në Universitetin e Fudanit se” Gjermania jo vetëm nuk “shkëputet“ dot, por ajo ka nevojë të mbajë dhe thellojë shkëmbimet ekonomike dhe tregtare me Kinën” vlen dhe për Francën dhe vende të tjera të BE-së.
Gjithsesi, pavarësisht nga debatet dhe problemet, po ndodh ajo që theksonte në muajin Mars në Berlin ambasadori kinez, Wu Ken, se firmat gjermane ia kanë dhënë “votëbesimin“ tregut kinez, duke treguar fuqinë e raporteve ekonomike dypalëshe“
Faktikisht, e “vërteta e shëmtuar“ siç thuhet është se vitet e fundit në Europë, sidomos në Gjermani dhe Francë, megjithë debatet kundërthënëse mbi bashkëpunimin ekonomik me Kinën, fuqia gjermane, franceze, europiane është e lidhur ngushtë me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Kinën.
Natyrisht grindjet dhe konfliktet tregtare me Kinën mund të vijojnë, madje, ato janë të pashmangshme dhe midis vendeve perëndimore; kujtojmë këtu luftën e gjatë tregtare SHBA – BE për çelikun dhe tekstilet.
Gjithsesi, takimet e Presidentit kinez në Uashington, Pekin dhe besojmë dhe tani në Europë dëshmojnë se nga pikëpamja gjeopolitike, realizmi dhe instinkti i mbijetesës në vendet perëndimore do të vazhdojë të sundojë mbi idealizmin, dhe realpolitika mbi diplomacinë misionare. Shkurt hesapi, pa një “aleancë konvenjence“ me Kinën, shtetet europiane vështirë se mund t’ia dalin në politikat e tyre sociale, ekonomike, mjedisore, etj.
Ja pse turi i tanishëm Europian i Presidentit kinez Xi Jinping është i mirëpritur!
© 2024 Argumentum