Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE ka ngritur një mocion mosbesimi ndaj kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi. Opozita e akuzon zotin Xhaferi të ketë vepruar jashtë rregullores së punës së parlamentit, të ketë ushtruar trysni psikologjike ndaj punonjësve dhe së fundmi për mbylljen e derës së sallës duke i mbajtur deputetët opozitarë në seancë jashtë vullnetit të tyre.
VMRO-ja thotë se shpreson që ky mocion nuk do të përfundojë në sirtarët e kreut të parlamentit. Shefi i grupit të deputetëve të VMRO-së, Nikolla Micevski duke iu bërë thirrje jo vetëm ligjvënësve opozitarë, por edhe atyre social-demokratë (LSDM) në pushtet që ta mbështesin mocionin, u shpreh se “duhet t’u jepet fund sjelljeve të këtij njeriu (Talat Xhaferi) që e ka uzurpuar këtë funksion dhe sillet sikur të ketë të drejtë të ofendojë, shajë, përulë dhe të mbyllë deputetët”.
Ndërkohë, social-demokratët e quajnë cirk nismën e VMRO-së. LSDM-ja thotë se deputetët e VMRO-së me qëllim bëjnë skandale në mënyrë që të shkaktohen incidente.
Ndërkaq, opozita shqiptare ka mendime të ndara. Aleanca për Shqiptarët thotë se zoti Xhaferi “nuk është kryetar i të gjithë deputetëve por vetëm i shumicës parlamentare”, por se partia është e pavarur në politikat e saj dhe nuk do ta mbështesë nismën për rrëzimin e tij. Ndërkaq, Lëvizja Besa me tre deputetët e saj thotë se do ta votojë mocionin.
Bashkimi Demokratik për Integrim, pjesëtar i së cilës është Talat Xhaferi, nuk ka bërë komente.
Kohët e fundit, një audio-regjistrim i publikuar në internet nxirrte zotin Xhaferi duke bërtitur dhe sharë stafin. VMRO-DPMNE-ja u përpoq ta detyronte kreun e parlametit që të kërkonte falje për veprimin, por ai nuk pranoi, teksa nuk e komentoi audio-regjistrimin.
Nga kabineti i kryetarit të parlamentit nuk kanë sqaruar nëse mocioni do të vihej për diskutim në ndonjë seancë të shpejtë.
Megjithatë, opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për rrëzimin e krye-parlamentarit. Që të miratohet mocioni duhet të mbështetet me 61 vota nga 120 që ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Opozita maqedonase dhe shqiptare së bashku kanë vetëm 55 vota. Nga ana tjetër, nëse ligjvënës të LSDM-së do të votonin për rrëzimin e zotit Xhaferi, atëherë kjo në mënyrë automatike do të detyronte BDI-në të largohej nga koalicioni qeveritar dhe do të rezultonte me prishjen e tij.
Disa analistë në vend i lidhin aktet e VMRO-së kundër kryetarit të parlamentit, me angazhimet e këtij të fundit rreth një nisme për njohjen si genocid të viktimave në Ukrainë nga agresioni rus. Por, një nismë e tillë ende nuk është bërë zyrtare, ndonëse autoritetet në Kiev sugjeruan para pak ditësh edhe gjatë vizitës së Ministrit të jashtëm Bujar Osmani për njohjen nga Maqedonia e Veriut të masakrave ruse si genocid.