Komisioni Evropian premtoi sot 1,8 miliardë euro ndihmë ekonomike për Moldavinë – përpara një referendumi të ashpër për anëtarësimin në BE.
“Evropa qëndron në anën e Moldavisë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë një vizite në Kishinev për të njoftuar paketën e ndihmës.
Moldavia do të zhvillojë votimet më 20 tetor për një referendum për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Votimi në një nga vendet më të varfra në Evropë po ndiqet nga afër – mes akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhje.
Zgjedhjet presidenciale në të cilat presidentja pro-perëndimore Maia Sandu po kërkon një mandat të dytë po zhvillohen gjithashtu në të njëjtën ditë. Vendi është i ndarë midis forcave politike pro-BE dhe pro-ruse.
Mbështetësit e referendumit e shohin atë si një hap që do të forconte rrugën e vendit drejt BE-së.
Qeveria e Moldavisë shpreson të bashkohet me bllokun deri në vitin 2030, megjithëse ky afat kohor shihet si shumë ambicioz.
E vendosur mes Ukrainës dhe Rumanisë, ekonomia e vendit është goditur nga pasojat negative të pushtimit të gjithanshëm rus të Ukrainës në vitin 2022.
Ashtu si Ukraina, Moldavia ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2022.
Von der Leyen tha se paketa e mbështetjes ekonomike ka potencialin të dyfishojë ekonominë e Moldavisë në një dekadë – dhe ta sjellë vendin më afër BE-së.
Paketa përmban mbështetje financiare për projektet e infrastrukturës në Moldavi si ura, hekurudha dhe një lidhje rrugore nga Kishinevi në qytetin port ukrainas të Odesës