Votohet në Kuvendin e Shqipërisë me vota 118 pro, 4 abstenim zgjatja e afateve të Vetting-ut. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se deputetët bashkuan sot votat për të votuar pro zgjatjes së afateve të Vetting-ut.
Deputetët e Kuvendit miratuan me 118 vota pro, 0 kundër dhe 4 abstenime projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”.
Pas këtij votimi, mandati i organeve të Vetingut zgjatet deri në 31 dhjetor 2024.
Votimi i sotëm erdhi pasi i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje që zgjatja e afateve të vettingut të votohet.
SHBA dhe BE përmes një deklarate të përbashkët i bënë thirrje deputetëve që të votojnë të gjithë pro këtyre ndryshimeve. Ata nënvizuan se reforma në drejtësi po jep rezultate dhe edhe falë saj vendi ka bërë shumë përparim.
Ndërkombëtaret mirëpresin vendimin e Kuvendit të Shqipërisë
Ambasada gjermane
Ambasadori Zingraf u shpreh sot rreth vendimit të Kuvendit: „Parlamenti shqiptar ka shprehur sot në mënyrë të qartë vullnetin e tij për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE. Përgëzoj të gjithë deputetët, që votuan për vijimin dhe përmbylljen e procesit të verifikimit të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, e kësisoj për reformën në drejtësi dhe shtetin ligjor. Përshëndes faktin që pjesë të opozitës parlamentare mundësuan këtë vendim me shumicë të cilësuar, duke e mbështetur atë në mënyrë konstruktive. Kjo është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.“, shprehet ai.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Ambasada e SHBA-së në Shqipëri
Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e zgjatjes së mandatit të vetingut në Parlament. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët – drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit europian. Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin gjithmonë Shqipërinë përgjatë kësaj rrugë të rëndësishme.
Ambasada italiane
Urime autoriteteve shqiptare për zgjatjen e “vetingut” në unanimitet të plotë. Reforma në drejtësi vazhdon!