Qytetarë të shumtë protestuan sot duke kërkuar drejtësi për 14-vjeçarin Martin Cani, i cili u vra nga një bashkëmoshatar pranë shkollës “Fan Noli” një muaj më parë.
Fillimisht qytetarët u mblodhën në shkollën “Fan Noli”, ku ndezën qirinj në kujtim të tij ndërsa më pas me pankartën në duar “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” ata marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.
Në protestë ndodheshin edhe prindërit e 14-vjeçarit Cani. Nëna e tij tregoi se Martini kishte ëndrra të mëdha
E përlotur, e ëma shprehet se Martini ishte një fëmijë plot ëndrra dhe se duhen dorëhequr ata që kanë faj në këtë ngjarje.
“Kush nuk e mbrojti Martinin, ai ishte një fëmijë i buzëqeshur, e kam çdo moment buzëqeshjen e Martinit, kishte ëndrra të mëdha, ishte i vecantë, shkonte çdo ditë në ndeshje. Ishte i përpiktë, thoshte: “Ma, do bëhem një futbollist shumë i madh dhe do të marr me vete kudo që të shkoj”.
Nuk kam fjalë për këtë histori, kam vetëm lot dhe sot jam nëna e gjithë fëmijëve shqiptarë, të mbrohen të gjithë fëmijët e tjerë. Dua dorëheqjen e ministres. Mësuesja kujdestare nuk më tha asnjë fjalë, nuk më telefonoi mua se Martini është grindur me një fëmijë, do të kishte një parandalim për ato dy fëmijë.
Ai që ka faj të dorëhiqet me çdo kusht, nga dera e shkollës deri në Ministri. Dua drejtësi për Martinin dhe për Luisin,” shprehet e ëma e Martinit.
“Kërkoj drejtësi edhe për Luisin, i cili është djali im tashmë”, tha ajo e përlotur.
Edhe prindërit e tjerë të pranishëm në protestë kërkuan më shumë siguri në shkolla për fëmijët e tyre.
Kjo është e disata protestë e prindërve pas ngjarjes.
Në 18 nëntor në afërsi të shkollës “Fan Noli”, një 14-vjeçar për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ata me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra një nga 14-vjeçarët, Martin Cani ka ndërruar jetë në spital.