Asnjë përgjegjësi nuk ka gjetur Ministrin e Brendshëm, Bledi Cuci në punën e tij dhe atë të strukturave të policisë ndërsa fliste për dy ngjarjet tragjike gjatë të Premtes dhe të Shtunës së kaluar në Shqipërinë e Jugut dhe Veriut.
Ministri i Brendshem Bledi Çuçi doli sot në konferencë për shtyp pas ngjarjes së rëndë që u regjistrua dje në Velipojë dhe aksidentit tragjik në Vlorë, që u regjistrua 3 ditë më parë. Dje në Velipojë u vranë 4 persona dhe u plagosën 2 të tjerë, pas sherrit mes dy familjeve Ferracaku dhe Gocaj në lidhje me vendosjen e shezlongeve në plazh. Ndërkohë, më 25 qershor, në autostradën Fier-Vlorë humbën jetën në aksident katër pjestarët e familjes Gushi.
Ministri Brendshëm, Bledi Çuçi ka drejtuar gishtin nga prokurorët dhe gjyqtarët si përgjegjës për ngjarjet e rënda kriminale që janë shënuar në vend. Në një konferencë për shtyp, një ditë pas ngjarjes së rëndë që u regjistrua në Velipojë, ku u vranë 4 persona, pas një sherri për vendosjen e shezlongeve në plazh, Çuçi tha se policia ka për detyrë parandalimin e ngjarjeve kriminale, por jo dënimin e personave që kapen në shkelje të ligjit. Sipas tij, gjyqtarët e prokurorët që akoma nuk e kanë kaluar vetingun, po lirojnë nga burgu personat që kapen në shkelje të ligjit.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe 2 të plagosur pas sherrit për vendosjen e shezlongëve, ministri Çuçi tha se policia ka pasur ankesë nga palët se përse u është dhënë leja atij apo këtij, por jo denoncim se ndiheshin të kërcënuar për këtë gjë.
“Policia nuk jep leje për shezlong dhe nuk jep leje për mënyrën se si do të shpërndahen plazhet. Problemi konkret lidhej me faktin se kush e ka pasur më parë dhe kush e ka sot dhe këtu duhet të ndërhyjnë institucionet që merren duke filluar që nga pushteti vendor. Në rastin konkret nuk ka pasur denoncim të këtyre dyve që u përfshinë në ngjarjen në Velipojë, jua them me bindje të plotë. Mund të ketë pasur një ankim pse ja keni dhënë lejen këtij, por nuk është policia ajo që jep leje. Por denoncimin që jam kërcënuar për shkak të kësaj gjëje nuk ka pasur” tha Çuçi
“Dua të theksoj fort se Policia e Shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve. Të dyja rastet fatale kërkojnë sigurisht në radhë të parë një reflektim nga të gjithë, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit, të cilës gjatë Mandatit tonë të Tretë qeverisës, do t’i vihen në dispozicion edhe dronë super-inteligjente, si dhe një sistem modern monitorimi i rrugëve, që gjeneron në kohë reale gjoba për shkelësit e kufijve të shpejtësisë. Po mbi të gjithë, duhet të reflektojnë gjykatësit që nuk kanë kaluar ende procesin e Vettingut, dhe që operojnë rëndom me parimin ‘Kap ça të kapësh’. Sepse Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë, ata i dënon Gjykata. Mjafton t’ju marrë një shembull: Ne kemi shtrënguar masat kundër armë mbajtjes pa leje, ku vetëm këtë muaj, pra në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje, tri shtetas, madje në një rast arma e zjarrit që mbahej pa leje kishte fishek në fole gati për qitje”, tha Çuçi.
Ndërkohë pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar menjehere Inspektori i Lartë i Drejtësisë i cili tha se gjyqtarët kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit dhe se kjo paraqet nevojën për reagim të shpejtë dhe energjik nga ana e ILD dhe strukturave të reja drejtuese të sistemit gjyqësor.
ILD shprehet se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive.
Në deklaratën për shtyp thuhet se ILD është e hapur për të pranuar nga çdo institucion ankesa në lidhje me sjelljen e magjistratëve.
Sipas tij, vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor.
NJOFTIM PER SHTYP
Inspektori i Lartë i Drejtësisë u njoh me deklaratat publike të ministrit të Brendshëm z. Bledi Çuçi, me anë të të cilave janë paraqitur pretendime lidhur me disa vendimmarrje të magjistratëve dhe rolit të ILD-së.
ILD konstaton me keqardhje se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive.
Për transparencë ndaj publikut, prioritet i punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është shqyrtimi dhe vlerësimi me seriozitet, i të gjitha pretendimeve të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë lidhur me veprimet, mosveprimet ose shkeljet e magjistratit brenda apo jashtë funksionit të tij, në ekuilibër midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.
Këto parime duhet t’i respektojë çdo institucion në vend, si standarde dhe vlera të një shoqërie demokratike dhe të garantimit të shtetit të së drejtës. Vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor.
Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është e hapur për të pranuar nga çdo institucion ankesa në lidhje me sjelljen e magjistratëve. Në rast të konstatimit të sjelljeve të cilat përbëjnë përgjegjësi disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë për sa ka vepruar deri më tani, në rastet kur ka konstatuar sjellje apo akte të cilat përbëjnë shkelje disiplinore ka propozuar marrjen e masave të nevojshme disiplinore.