Ambasadori i Italisë në Republikën Demokratike të Kongos u vra në një sulm në lindje të këtij vendi, bëri të ditur Ministria e Jashtme italiane.
Luca Attanasio vdiq në spital të hënën, pasi autokolona e Kombeve të Bashkuara me të cilën udhëtonte, u sulmua pranë qytetit Goma, thuhet në deklaratë.
Autokolona raportohet se i përkiste Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara.
Sipas njoftimeve, një oficer i policisë ushtarake italiane që udhëtonte me ambasadorin dhe një person i tretë u vranë gjithashtu.
Sipas zyrtarëve të Republikës Demokratike të Kongos, sulmi besohet të ketë qenë një përpjekje rrëmbimi.
Milicitë përleshen rregullisht në lindje të këtij vendi, ku një forcë e madhe e Kombeve të Bashkuara po lufton për të mbajtur paqen.