Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.
Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiq ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”.
Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para adresimit të Vuçiqit, Parlamenti serb do të miratojë një vendim për “paligjshmërinë” e të gjitha institucioneve të themeluara në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.
Vuçiq ka thënë të premten se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për, siç ka thënë ai, “problemin e Kosovës dhe Metohisë”.
“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t’u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën dhe Metohinë. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiq në një fjalim drejtuar popullit, të paralajmëruar ditë më parë.
Shtatë kërkesat e Serbisë:
- shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian,
- kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre,
- tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës,
- tërheqjen e policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
- formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe,
- zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë”, të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
- kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinar.
Masa tjera të paralajmëruara të Serbisë
Duke prezantuar masat politike të Serbisë, Vuçiq ka thënë se në ditët e fundit ka pasur dilema nëse Serbia duhet të marrë ndonjë veprim sa i përket pushtimit të një pjese të territorit.
“Nuk kemi marrë vendim për pushtimin. Ekspertët tanë ligjorë kanë qenë kundër”, ka thënë ai.
Sipas Vuçiqit, masat e prezantuara prej Beogradit janë përpiluar në koordinim me përfaqësuesit e serbëve prej Kosovës dhe Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai ka thënë se këto masa “nuk do të zgjasin përjetësisht”, mirëpo vetëm derisa të respektohet ajo që është arritur në Bruksel.
“Po mbushim vakumin ligjor”.
Vuçiq ka thënë se Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditëve për të “shpallur krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.
“Ne do të rrisim ndihmën dhe mbështetjen tonë për popullsinë në mënyrë dramatike. Tani, do të ndajmë për një grup prej 5.000 personash të papunë një mbështetje mujore prej 20 mijë dinarësh (170 eurosh)… çdo dinarë do ta marrin vetëm ata që jetojnë në Kosovë”, ka thënë presidenti serb.
Në dokumentin që u është shpërndarë mediave përmendet që “institucionet serbe” në Kosovë “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe akuzohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se “qëllimi i tij kryesor politik është të largojë dhe të eliminojë plotësisht serbët” në Kosovë.
Aty, gjithashtu, është paralajmëruar që në Rudnicë dhe Ribar pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale, dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.
Një tjetër pikë në dokument përmend miratimin e një ligji për të krijuar një Prokurori të veçantë “për ndjekjen e abuzimeve dhe shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut, uzurpimin e pronës dhe rrezikimin e integritetit trupor” të qytetarëve të Serbisë në Kosovë.
“Për ne sulmi në Banjskë nuk është terrorist”
Përgjatë adresimit, ai është pyetur nga gazetarët edhe për aktakuzën e autoriteteve të Kosovës për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Në atë sulm të kryer nga një grup i armatosur serb, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
“Organet tona, që kanë të bëjnë me Banjskën, po zhvillojnë hetimet e tyre. Kjo për ne, sigurisht, nuk është terrorizëm… por nuk dua të zgjerohem më tej dhe të shpjegoj përsëri se kush është fajtor për këtë dhe kush e solli këtë gjendje”, ka thënë Vuçiq./REL