Duke intensifikuar bashkëpunimin me Hungarinë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpreh dëshirën për krijimin e një aleance apo pakti ushtarak.
Pas Vuçiqit, edhe presidenti i Republikës Sërpska (RS) të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, paralajmëroi se ky entitet i Bosnje dhe Hercegovinës do të kërkojë të përfshihet në një marrëveshje ushtarake dhe të sigurisë me Serbinë dhe Hungarinë.
Zyrtarët hungarezë nuk i kanë komentuar këto qëllime të Beogradit dhe Banjallukës, ndonëse Hungaria është tashmë anëtare e një aleance ushtarake, NATO-s.
“Këtu askush nuk i kushtoi vëmendje kësaj çështjeje, prandaj mund të përfundojmë se kjo është më tepër një çështje e zemrës për regjimin në Beograd, sesa për atë në Budapest”, vlerësoi për REL-in gazetari nga Budapesti, Gabor Bodis.
Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për qëndrimin e tyre rreth krijimit të mundshëm të një aleance ushtarake apo të sigurisë, për të cilën flasin Vuçiqi dhe Dodiku.
As NATO-ja nuk u përgjigj ndaj kësaj pyetjeje të REL-it.
Në Beograd, ministrat e Mbrojtjes së Serbisë dhe Hungarisë, Bratislav Gashiq dhe Kristof Szalay-Bobrovniczky, më 1 prill nënshkruan Planin e bashkëpunimit ushtarak bilateral mes ministrive të tyre për vitin 2025.
Ky dokument konkretizon Marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve, të arritur në vitin 2023.
Pas nënshkrimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se beson që marrëveshja për aktivitetet e përbashkëta do të vazhdojë me afrimin e mëtejshëm dhe krijimin e një aleance apo pakti ushtarak midis Serbisë dhe Hungarisë.
Vuçiq tha se ai dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, dëshirojnë të vazhdojnë përshpejtimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, “veçanërisht duke pasur parasysh gjithçka që po ndodh në Evropë dhe botë”.
A është kjo përgjigje ndaj marrëveshjes së Kosovës me Kroacinë dhe Shqipërinë?
Ivana Stradner, bashkëpunëtore e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, mendon se marrëveshja e nënshkruar nuk ka rëndësi të madhe në praktikë, por është “propagandë e Vuçiqit për publikun e brendshëm”.
“Orban ndërhyri për t’i ardhur në ndihmë mikut të tij, Vuçiqit, që ky të mos dukej i dobët para opinionit publik dhe për të ruajtur prestigjin në Serbi pas deklaratës për bashkëpunim ushtarak të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe protestave masive në të gjithë Serbinë”, vlerësoi Stradner.
Të njëjtin mendim ndan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe lideri i lëvizjes opozitare “Zemra”.
“Ai [Vuçiq] e di që Zagrebi e shikon me dyshim çdo gjë që vjen nga Budapesti nën sundimin e Orbanit, prandaj po i kthen njëfarë nervozizmi Kroacisë”, vlerësoi Zdravko Ponosh.
Qeveria hungareze, e drejtuar nga Viktor Orban, prej vitesh është aleate e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, brenda Bashkimit Evropian, ku Hungaria është anëtare.
Po ashtu, Orban kohët e fundit ka përqendruar vëmendjen e tij në Republikën Sërpska, e jo në tërë Bosnje dhe Hercegovinën.
Ideja për një “aleancë ushtarake” mes Serbisë dhe Hungarisë u shfaq rreth dhjetë ditë pas nënshkrimit të deklaratës për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Beogradi zyrtar, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e dënoi këtë dokument duke e cilësuar si “provokim ndaj Serbisë” dhe “cenim të stabilitetit rajonal”.
Gjithashtu, tema e një aleance ushtarake dhe të sigurisë me Hungarinë u shfaq në një kohë tensionesh të shtuara si në Serbi, ashtu edhe në Bosnje e Hercegovinë.
Serbia prej muajsh përballet me protesta të udhëhequra nga studentët për shkak të vdekjes së 16 personave pas rrëzimit të një mbulese betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Ndërkohë, Dodiku ndodhet në qendër të një urdhërarresti në Bosnje e Hercegovinë për shkak të shkeljes së rendit kushtetues të vendit, pasi autoritetet e RS-së kanë marrë një sërë vendimesh anti-kushtetuese dhe secesioniste.
Çfarë u nënshkrua në Beograd?
Budapesti dhe Beogradi kanë rënë dakord për 79 aktivitete të mbrojtjes për vitin 2025, përfshirë trajnime të përbashkëta, stërvitje helikopterësh dhe të tjera, bashkëpunim në industritë ushtarake, sigurinë kibernetike, operacionet paqeruajtëse, arsimin dhe mjekësinë ushtarake.
Sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kjo është pothuajse dyfishi i aktiviteteve të realizuara në vitin 2023, kur u realizuan 48 aktivitete.
Ministri hungarez i mbrojtjes, Kristof Szalay-Bobrovniczky, deklaroi në Beograd se “Hungaria është gjithmonë në anën e ruajtjes së paqes dhe Serbia është gjithmonë aleatja e saj në këtë”.
Bashkëpunimi ushtarak midis dy vendeve zhvillohet përmes realizimit të ushtrimeve bilaterale dhe shumëpalëshe, si dhe bashkëpunimit ushtarak-teknik në fushën e blerjes së sistemeve dhe mjeteve të armatimit.
Vuçiq tha se Beogradi, pas blerjes së transportuesve të blinduar nga Budapesti, është i interesuar për blerjen e sistemeve të tjera të mbetura në Hungari nga periudha sovjetike, si dhe për blerjen e automjeteve të reja luftarake Lynx KF-51, të cilat Hungaria i prodhon në bashkëpunim me Rheinmetall-in gjerman.
Ai shtoi se Hungaria blen nga Serbia municion të kalibrit 7.62 mm.
Ministria e Mbrojtjes dhe Presidenca e Serbisë nuk u përgjigjën ndaj pyetjes së REL-it se çfarë do të nënkuptonte një aleancë ushtarake e mundshme mes Serbisë dhe Hungarisë dhe pse do të ishte e nevojshme.
Ndihmësministri i mbrojtjes, Predrag Bandiq, tha më 3 prill për RTS-në se marrëveshja e nënshkruar për bashkëpunim në mbrojtje “ka përmbajtje dhe formë që mund të shndërrohet edhe në diçka më shumë”.
Sipas tij, kjo nuk është një tjetër rast i “ngritjes së armëve” në rajon.
“Kjo është një formë veprimi e mirëdashur nga aktorët përgjegjës të sigurisë rajonale që mendojnë së bashku për sigurinë e rajonit”, tha Bandiq.
I pyetur nëse kjo është përgjigje ndaj deklaratës së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, Bandiq vlerësoi se bëhet ajo ishte vetëm një “akt deklarativ për bashkëpunim”, ndërsa këtu bëhet fjalë për një “marrëveshje shumë më përmbajtësore dhe cilësore”.
Republika Sërpska nuk mund ta nënshkruajë marrëveshjen
Nurko Pobriq, profesor në pension i së drejtës kushtetuese dhe ish-gjykatës në Bosnje e Hercegovinë, tha për REL-in se një entitet i tillë nuk mund të lidhë marrëveshje të sigurisë me Serbinë dhe Hungarinë.
“Për një entitet, kjo është absolutisht e pamundur. Ndoshta Bosnja si shtet do të mund të nënshkruante një marrëveshje të tillë me ndonjë shtet fqinj apo të tretë”, tha ai.
/Marrë me shkurtime nga Radio Evropa e Lire