Marrëveshja Serbi – Kosovë për letërnjoftimet është verbale sepse me shkrim është arritur në vitin 2011, tha presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
Duke folur pas nje stërvitje e ushtrisë dhe policisë serbe, Vuçiq tha se pala serbe ka luftuar që të korrigjojë diçka në marrëveshje dhe arriti të nxjerrë më të mirën e mundshme për serbët. “Ne nuk mund të avokojmë për Ballkanin e Hapur dhe t’i mbyllim të gjithë kufijtë. Mendoj se ajo që është arritur është e mirë për ne”, tha Vuçiq, duke shtuar se do të ketë një njoftim se njohja e dokumenteve nuk nënkupton njohjen e Kosovës, raporton RTK.
Pas arritjes së marrëveshjes për letërnjoftimet, Beogradi zyrtar vazhdon të reagon për çështjen e targave. Sipas Vuçiqit, autoritetet e Kosovës nuk po heqin dorë nga synimet e tyre që të zbatojnë vendimin për tabelat RKS.
“Albin Kurti tha sot se deri në fund të tetorit nuk do të ketë më targa të pavlefshme, që do të thotë se kërkon konflikte të mëtejshme, edhe pse nuk kanë dokument mbi bazën e të cilit mund ta bëjnë këtë. Pas kësaj do të pasojë diçka tjetër, pastaj një gjë e tretë dhe që dikush na shtyn në konflikte”, tha Vuçiq.
Sipas Beogradit zyrtar nuk ka kompromis për riregjistrim të targave. Beogradi zyrtar ka paralajmëruar se në vazhdimin e negociatave, për Beogradin, Asociacioni do të jetë në tavolinë dhe se do të jetë parakusht për bisedimet me Kosovën për çdo çështje tjetër.