Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi se u ka kërkuar serbëve të Kosovës të mos vijnë për t’i dhënë mbështetje atij në Beograd, ndërsa paralajmëroi se nëse do të ketë dhunë në protestat e ardhshme protestuesit nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar.
“Ndoshta kemi bërë një gabim, pasi kemi besuar se kemi të bëjmë me njerëz racionalë, andaj nuk kemi dërguar policinë në RTS. Sigurisht, unë jam më i shqetësuar për Kosovën”-tha ai.
I pyetur se si imazhet e sotme të dërguara në botë ndikojnë në pozitën e Serbisë në dialogun me Kosovën, Vuçiç tha se është e vështirë “kur jeni të shtypur nga anë të ndryshme”.
“Shqiptarët sillen në mënyrë të papërgjegjshme, dhe duhet të mbroheni edhe nga ana tjetër me resurse të vogla. Përkundër histerisë në Prishtinë, ne kemi qenë të suksesshëm deri më tani, dhe kështu do të vazhdojmë. Ata nuk respektuan marrëveshjen e Brukselit, vendosën tarifa. Nuk do të ketë lëshime, tarifat duhet të hiqen. Do të bëjmë gjithçka për të parandaluar konfliktin, andaj është e rëndësishme të mbahet paqja me çdo kusht”, u shpreh ai.
Presidenti serb tha se nuk i intereson nëse dikush e quan tradhtar dhe ka komentuar mbi ngjarjet aktuale.
“Prova më e mirë është se sa mbështetje kam në Kosovë dhe sa kanë të tjerët. Treguesi më i mirë është thirrja e sotme që serbët e Kosovës të ngrenë duart e tyre nga unë, sepse, siç thuhet, i kam lutur të vijnë në Beograd për të më mbrojtur. Unë i kam lutur të mos vinë. Pra, serish rrena. Vetëm gënjejnë. Falë meje dhe tre njerëzve të tjerë, sot nuk e kemi Kosovën në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiç, duke mos dhënë më shumë detaje.