Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara duket se ka bërë bashkë në një sërë takimesh edhe liderët e rajonit, të cilët kanë zhvilluar bisedime me njëri-tjetrin. Nga këto takime duket se është aprovuar edhe ideja e një “Shengeni të vogël Ballkanik”.Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar për mediat e vendit të tij se është takuar me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Presidenti serb ka theksuar se është diskutuar në takim për një “Shengen të vogël” që pritet të formohet nga tre shtetet: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Kosova nuk përfshihet në këtë marrëveshje dhe i pyetur nga gazetarët, Vuçiç u shpreh: “Është e rëndësishme për Serbinë që Prishtina të përfshihet në këtë proces”.
Madje presidenti serb ka dhënë edhe detaje, duke thënë se një marrëveshje specifike në këtë fushë do të firmoset në konferencën e Novi Sadit, më 9-10 tetor, ku ai pret të jenë të pranishëm Rama dhe Zaev.
“Ajo që diskutuam është se duam të jemi më specifikë. Ne duam të krijojmë lidhje më të thella politike dhe ekonomike dhe të paraqitemi para BE-së si një bllok, sesa individualisht,” u tha Vuçiç gazetarëve.
Ndersa edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar një takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Në këtë takimi, Rama thotë se do të diskutohet për heqjen e kufijve mes këtyre vendeve. Në një intervistë nga SHBA, Rama thotë se ka ardhur koha për të rritur më shumë bashkëpunimin.
“Unë jam shprehur më herët dhe për këtë kam marrë edhe akuza sepse gjithkush e ka dëgjuar idenë e ka lidhur me heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, çka për mua mbetet një prioritet i një rëndësie shumë të veçantë, por i parë në një kontekst më të gjerë. Na është dhënë hapësira këtu që të jemi së bashku me Presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë dhe kemi rënë dakord që të takohemi së shpejti për të diskutuar mbi një hap të rëndësishëm bashkëpunimi mes të treja vendeve që nuk është përjashtues për vendet e tjera. Përkundrazi është një hap për të nxitur të tjerët që të bashkëpunojnë. Për mua ky hap ka një rëndësi të madhe nëse në bazë të kësaj marrëveshje të mundshme është heqja e kufijve, heqja e kufijve për njerëzit, për mallrat, për investitorët e mëdhenj. Është e qartë që për të investuar në rajonin tonë kanë nevojë për një treg shumë më të gjerë sesa tregu i vogël i secilit vend të marrë veç e veç. Kemi një mirëkuptim, që ky është momenti për ti çuar gjerat edhe më tutje. Së bashku ne mund të bëjmë shumë më tepër rrugë si rajon për të rritur ekonomikë dhe mirëqenien e njerëzve”-tha Rama.
Por si do të pritet ky bashkëpunim rajonal Kosova e cila duket se është përjashtuar nga kjo marrëveshje?!