Serbia është në pritje të heqjes së tarifës doganore nga pala kosovare para se të hyjë për bisedime rreth çështjeve të rëndësisë së lartë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i cili ndodhet zyrtarisht në Uashington thotë se SHBA-ja ndan të njëjtin mendim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka ripërsëritur qëndrimin e tij për tarifën 100 për qind se po kushtëzon avancimin e dialogut me Kosovën.
Gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Methju Palmër, Vuçiç tha se Uashingtoni këmbëngul që tarifa për mallrat serbe të hiqet.
“Ata mendojnë se është e rëndësishme që të hiqet tarifa në mënyrë që të mund të diskutojmë çështje të rëndësishme, thelbësore. Nuk është problem për mua të takoj Thaçin dhe Kurtin në ndonjë panel, por nuk do të ketë diskutime për çështje thelbësore dhe për statusin e Kosovës pa u hequr tarifat,” deklaroi Vuçiç.
Ndërkohë nuk është e sigurt a do të mbahet një takim ditën e hënë një takim mes kryeshtetarit të Serbisë dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Unë nuk kam asgjë kundër takimit, por unë jam duke pritur për rezultatin e tarifës. Nëse do të takohemi diku nuk e kam problem, por nuk do të ketë negociata të vërteta për ndonjë çështje statusi,” theksoi Vuçiç.
Tema e tarifës maksimaliste nga ana e Prishtinës diskutohet sot në një seancë të jashtëzakonshme plenare të thirrur nga opozita.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi javën e kaluar se tarifa do të hiqet gradualisht në bazë të përmbushjes së detyrimeve nga pala serbe dhe ndërkombëtarët, ndërsa aleatët e tij të LDK-së vlerësojnë se heqja e pjesshme shkon përkundër partneritetit me SHBA-në dhe BE-në.