Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka falënderuar Rusinë për mbështetjen ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, në një takim që ka zhvilluar me ambasadorin rus, Aleksandar Bocan-Kharchenko më 24 tetor.
Në një komunikatë të lëshuar pas takimit, Vuçiq e ka shfaqur shpresën se paqja shumë e nevojshme në tokën evropiane do të arrihet në periudhë të shkurtër kohore, transmeton REL.
Ky takim vjen një ditë pasi ministrja gjermane për Evropën dhe Klimën, Anna Lührmann i ka bërë thirrje Serbisë që të harmonizojë politikën e jashtme me atë të Bashkimit Evropian.
Serbia, ndonëse vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – dhe pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve perëndimorë – ka refuzuar që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për luftën e nisur në Ukrainë.
Në komunikatën e 24 tetorit është thënë se çështjet e diskutuara mes Vuçiqit dhe ambasadorit rus kanë qenë: bashkëpunimi bilateral, situata gjeopolitike dhe çështjet rajonale.
“Dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar dhe për situatën në Kosovë dhe Metohi, presidenti Vuçiq ka theksuar se Serbia, pavarësisht të gjitha sfidave, vazhdon të ketë politikë paqësore dhe është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe që të respektohet ligji ndërkombëtar”, është thënë në deklaratë.
Ky takim është zhvilluar teksa në Kosovë po afrohet skadimi i afatit për riregjistim të makinave me targa serbe në RKS- Republika e Kosovës.
Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
/Argumentum.al