Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, me të cilin ka biseduar për aktualitetin që prek Serbinë dhe botën në tërësi, si dhe vendosjen e sanksioneve amerikane ndaj NIS.
“Ne përmblodhëm ngjarjet dhe rezultatet e bashkëpunimit nga viti i kaluar dhe diskutuam për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në sfera të ndryshme të jetës shoqërore, veçanërisht projektet e infrastrukturës, si në rrugë ashtu edhe në energji. Temë e diskutimit ishte vendosja e sanksioneve ndaj NIS. “-ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.
Ai shtoi se situatën politike e kanë shqyrtuar në lidhje me ndryshimet që po ndodhin, si në SHBA ashtu edhe në shumë vende evropiane.
Kujtojmë, se presidenti Aleksandar Vuçiq tha sot në mbledhjen e kabinetit se SHBA do të vendosë sanksione të përgjithshme ndaj NIS, jo vetëm financiare, dhe shtoi se këto do të jenë sanksione të drejtpërdrejta ndaj kompanisë së naftës, si dhe se SHBA do të dalin zyrtarisht me atë vendim para datës 15 janar.
/Argumentum.al