Genc Mlloja
Rrallë janë zhvilluar veprimtari diplomatike në rang ndërkombëtar që të kenë patur vëmendje dhe interesim masiv nga opinioni publik botëror dhe kancelaritë diplomatike sikurse biseda telefonike e Presidentit të Kinës Xi Jinping me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky me kërkesën e këtij të fundit. Biseda dhe përmbajtja e saj janë konsideruar si një zhvillim në drejtimin e duhur në radhë të parë nga palët e implikuara në konfliktin ruso-ukrainas, por bie në sy një vlerësim pozitiv nga ana e vendeve europiane, të cilët nuk i kanë humbur asnjëherë shpresat se Kina dhe presidenti Xi mund të kontribuojnë më shumë se kushdo në zhbllokimin e këtij qorrsokaku, që për hir të së vërtetës në fazën aktuale duket si një konflikt i ‘ngrirë’ pa asnjë rreze drite në fund të tunelit për zgjidhje, kur u bënë 14 muaj që lufta po vret mizorisht viktima të pafajshme dhe po shkatërron në mënyrë të frikshme.
Gjatë bisedimeve që zgjatën rreth një orë më 26 prill midis dy liderëve kinez dhe ukrainas u shkëmbyen mendime mbi dy aspekte kryesore: marrëdhëniet Kinë-Ukrainë dhe kriza ukrainase. Komunikimi i drejtpërdrejtë i Presidentit Xi me homologun e tij ukrainas ishte një tregues më shumë i gatishmërisë së Kinës për të ndërmjetësuar në këtë krizë të zgjatur të përgjakshme midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila ka goditur edhe mbarë botën për më shumë se një vit, në mënyrë të veçantë Europën që sikurse tregon realiteti është bërë palë indirekte në të e shprehur në luftën ekonomike e tregtare me Rusinë dhe furnizimin masiv me armë të Ukrainës. Domosdo në këtë aspekt janë SHBA që luajnë të gjitha levat, por me ndryshimin se pasojat po bien seriozisht mbi popujt europianë dhe fakti që Europa është teatër i luftës e ekspozon kontinentin ndaj një përshkallëzimi eventual të konfliktit.
Pikërisht këto shqetësime kanë bërë që shumë udhëheqës europianë ti drejtojnë sytë nga Kina për mundësinë e një ndërmjetësimi nga ana e saj midis palëve ndërluftuese sepse në ndryshim nga SHBA e ndonjë fuqi perëndimore me influencë palë të treta në konflikt, kjo fuqi e madhe botërore nuk është as krijuese dhe as palë në krizën e Ukrainës, përkundrazi sikurse deklaroi Xi në bisedë me liderin e Kievit Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes në çështjen e krizës ukrainase dhe pozicioni i saj thelbësor është promovimi i paqes dhe i bisedimeve. “Si një vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një vend i madh i përgjegjshëm, Kina as nuk do ta këqyrë nga larg zhvillimin e krizës, as nuk do ta stimulojë atë dhe as nuk do të përfitojë prej saj. Dialogu dhe negociatat janë e vetmja rrugëdalje e mundshme”, u shpreh presidenti Xi.
Në përputhje me këtë linjë ndër veprimet diplomatike më të spikatura ishte paraqitja e dokumentit “Qëndrimet e Kinës për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë” i publikuar nga Ministria e Jashtme në shkurt të vitit 2023, ku shprehej pozicioni i Pekinit për krizën e Ukrainës. Dokumenti sikurse është bërë publike përmbante një propozim prej 12 pikash për t’i dhënë fund konfliktit, duke trajtuar simptomat dhe shkaqet kryesore të krizës, dhe duke përsëritur nevojën për t’i dhënë fund asaj përmes dialogut dhe negociatave.
Duke iu përmbajtur politikës së saj konsekuente të përgjegjshme në promovimin e paqes dhe stabilitetit botëror Kina i ka parë gjërat me shqetësimin dhe vullnetin e mirë që konflikti të mos dalë jashtë kontrolllit fatal, që do të ishte përdorimi i arsenalit bërthamor.
Lidhur me këtë Xi rikonfirmoi në bisedë se nuk ka fitues nga një luftë bërthamore, duke shtuar që, lidhur me çështjen bërthamore, të gjitha palët përkatëse duhet të përmbahen, të nisen me të vërtetë nga e ardhmja dhe fati i të gjithë njerëzimit, dhe bashkërisht ta menaxhojnë e kontrollojnë krizën. Ky ishte një mesazh jo vetëm për palët e implikuara në konflikt por, në fakt, edhe për të gjithë komunitetin ndërkombëtar e në mënyrë të veçantë për fuqitë, të cilat posedojnë armë bërthamore.
Shprehje e qartë e seriozitetit të udhëheqjes kineze në kontributin e saj të vullnetit të mire për të zhbllokuar krizën ishte hapi i menjëhershëm konkret për tu angazhuar në gjetjen e një zgjidhje paqësore duke dërguar përfaqësuesin e posaçëm të qeverisë kineze për çështjet euroaziatike për të vizituar Ukrainën dhe vendet e tjera, për të zhvilluar komunikim të thellë me të gjitha palët për zgjidhjen politike të krizës ukrainase.
Duke ndërmarrë këtë veprim diplomatik me përgjegjësi të lartë pala kineze konstaton se mendimet dhe zërat e arsyeshëm nga të gjitha palët po shtohen dhe në këtë kontekst Xi vuri në dukje se “duhet të shfrytëzojmë rastin për të krijuar kushtet e favorshme për zgjidhjen politike të krizës. Shpresojmë që të gjitha palët të reflektojnë thellë për krizën ukrainase dhe së bashku të kërkojnë një rrugë për paqen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë në Evropë nëpërmjet dialogut. Kina do të këmbëngulë në nxitjen e paqes e të bisedimeve dhe do të bëjë përpjekjet e veta për ndalimin e luftës dhe arritjen e armëpushimit”.
Sikurse e përmendëm më sipër temë e diskutimit ishin edhe marrëdhëniet kino-ukrainase, të cilat, sipas Xi Jinping kanë kaluar 31 vjet zhvillim dhe kanë arritur në nivelin e partneritetit strategjik, duke dhënë ndihmë për zhvillimin dhe rigjallërimin e të dy vendeve. Kina ka ofruar disa kontingjente ndihmë humanitare për Ukrainën dhe është e gatshme të vazhdojë të ofrojë ndihmë brenda mundësive të saj, theksoi presidenti kinez. “Unë e vlerësoj theksimin e përsëritur nga presidenti Volodymyr Zelensky të zhvillimit të marrëdhënieve kino-ukrainase e bashkëpunimit me Kinën dhe falënderoj Ukrainën për ndihmën e madhe për evakuimin e shtetasve kinezë vitin e kaluar. Respektimi i ndërsjellë i sovranitetit dhe integritetit territorial është baza politike e marrëdhënieve kino-ukrainase”, tha ai. Kreu i shtetit kinez u shpreh më tej që të dy palët duhet t’i kushtojnë rëndësi së ardhmes, të këmbëngulin në planifikimin e marrëdhënieve dypalëshe nga një perspektivë afatgjatë, të vazhdojnë traditën e respektit të ndërsjellë e të sinqeritetit ndaj njëri-tjetrit dhe të promovojnë zhvillimin e partneritetit strategjik kino-ukrainas.
Foto:VCG
Nga ana e tij presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të Kinës nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping, të cilin e uroi për rizgjedhjen, dhe shprehu besimin se Kina do të përballojë me sukses sfidat e ndryshme dhe do të vazhdojë të zhvillohet. “Kina mbështet qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së në çështjet ndërkombëtare dhe ka ndikim të madh në skenën ndërkombëtare. Ukraina i përmbahet politikës së ‘Një Kine’ dhe shpreson të zhvillojë bashkëpunim të gjithanshëm me Kinën, të hapë një fazë të re në marrëdhëniet kino-ukrainase dhe të bashkëpunojë për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë botërore”, u shpreh ai. Zelensky shtjelloi pikëpamjet e tij për krizën ukrainase, falënderoi Kinën për ndihmën e saj humanitare për vendin e tij dhe përshëndeti rolin e rëndësishëm të luajtur nga Kina në rivendosjen e paqes dhe zgjidhjen e krizës me mjete diplomatike.
Në një prononcim pas bisedës Zelensky, i cili prej muajsh kishte treguar interesim të madh për të arritur të bisedonte me Xi, rikonfirmoi shpresat për rolin e Kinës për paqe, duke e karakterizuar ngjarjen në fjalimin e tij në mbrëmje të 27 prillit drejtuar ukrainasve si një “mundësi për të përdorur ndikimin politik të Kinës për të rikthyer fuqinë e parimeve dhe rregullave mbi të cilin duhet të bazohet paqja”.
Kurse më parë në një postim në Twitter ai tha: “Kam pasur një telefonatë të gjatë dhe domethënëse me Presidentin Xi Jinping. Besoj se kjo bisedë, si dhe emërimi i ambasadorit të Ukrainës në Kinë, do t’i japë një shtysë të fuqishme zhvillimit të marrëdhënieve tona dypalëshe”.
Dhe diplomacia ukrainase ka qenë e shpejte në veprimet e saj në raport me Kinën duke caktuar Pavlo Ryabikin, një ish-ministër i industrive strategjike, si ambasadori i ri i Ukrainës në Kinë, sipas një dekreti të postuar në faqen e internetit të presidentit ukrainas.
Kina e mirëpriti ambasadorin e sapoemëruar të Ukrainës në Kinë dhe është e gatshme ta bëjë sa më të përshtatshme përmbushjen e detyrës së tij, sipas Global Times e cila citonte burime zyrtare.
Foto:VCG
Ndërkohë duke komentuar bisedën telefonike të Presidentit kinez Xi Jinping me homologun e tij Volodymyr Zelensky Rusia shprehu gatishmërinë për të mirëpritur çdo iniciativë për të zgjidhur konfliktin.
Komenti u bë nga Dmitry Peskov, sekretar shtypi i Presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin gjatë një konference i cituar nga agjencia e lajmeve Interfax dhe RBC.
“Ne jemi të gatshëm të mirëpresim çdo gjë që mund të sjellë fundin e konfliktit në Ukrainë dhe arritjen e synimeve të saj nga vetë Rusia. Sa i përket komunikimit, kjo është një çështje sovrane për këto vende dhe një çështje e dialogut të tyre dypalësh”.
Gjatë një vizite shtetërore në Rusi në muajin prill Xi pati një shkëmbim të thellë pikëpamjesh mbi çështjen e Ukrainës me presidentin rus Vladimir Putin, duke u zotuar se Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në promovimin e zgjidhjes politike të krizës.
Brukseli mirëpriti bisedën midis liderëve kinez dhe ukrainas, që mendohet të jetë telefonata e tyre e parë që kur Rusia pushtoi Ukrainën, njoftonte AFP me 26 prill. Shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell e përshëndeti ngjarjen në komentet e tij gjatë një vizite në Kolumbi. “Është një hap i parë. Por është një hap i parë i rëndësishëm”, u tha ai gazetarëve në Bogota.
“Është shumë e rëndësishme që Kina të bisedojë me Ukrainën, dua t’ju kujtoj se ne të gjithë duam paqe”, shtoi ai.
“Ne inkurajojmë çdo dialog që mund të kontribuojë në zgjidhjen e konfliktit në përputhje me interesat themelore të Ukrainës dhe të drejtës ndërkombëtare”, tha një zyrtar i Elysee për mediat në një koment pas bisedës. “Ky ishte mesazhi i përcjellë nga (Presidenti Emmanuel Macron) gjatë vizitës së tij shtetërore në Kinë, kur Presidenti Xi Jinping i deklaroi kreut të shtetit synimin e tij për të folur me Presidentin Zelensky”.
“Lajm i mirë”, tha presidenti finlandez Sauli Niinistö në një postim në Twitter në lidhje me njoftimin për bisedën Xi – Zelensky.
“Një telefonatë e shumëpritur mes liderit kinez Xi Jinping dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky më 26 prill është mirëpritur me rezerva në Uashington dhe pjesë të Evropës për potencialin e saj për të rritur dialogun drejt zgjidhjes së luftës brutale të Rusisë në Ukrainë. Ajo (biseda telefonike) shënon gjithashtu hapin më konkret të bërë deri më sot nga Kina për të marrë rolin e ndërmjetësit që ajo ka aluduar për muaj të tërë ta luaj”, shkruante CNN me 27 prill.
Foto:VCG
Me të gjitha gjasat Uashingtoni nuk mund të thuhet se është tepër entuziast për këtë ngjarje se në fund të fundit taktika e tij ka qenë zgjatja pafund e konfliktit për të mbajtur në konflikt Rusinë e Ukrainën dhe në tension aleatët e saj në Europë, që përputhet me strategjinë globale amerikane të mbajtjes ndezur te konflikteve dhe për të krijuar të reja në pjesë të ndryshme të botës. Prandaj jo më kot analistët qeveritarë amerikanë i vënë theksin në komentet e tyre se një iniciativë e tillë është ndërmarrë nga Kina ndër të tjera për të forcuar marrëdhëniet e saj me BE e Europën duke sfiduar përpjekjet amerikane për ta izoluar atë.
Në ndryshim nga SHBA Europa por edhe vende të tjera në rajone të ndryshme të botës, sikurse e theksuam edhe më sipër, kanë kërkuar në forma të ndryshme herë hapur herë në mënyrë të nënkuptuar ndërmjetësimin e Kinës në këtë konflikt. Ata ishin të inkurajuar për potencën e rolit të Kinës edhe pas suksesit të diplomacisë kineze në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje midis Arabisë Saudite dhe Iranit, që i dha fund një armiqësie të vjetër dhe tepër të rrezikshme për të dy vendet e rajonin, si dhe për supozimet mediatike lidhur me një rol ndërmjetësues të Kinës midis Izraelit dhe palestinezëve. Nga ana tjetër, ndryshe nga disa vende që e trajtojnë krizën në mënyrë të njëanshme dhe të pjesshme, Kina ka nxitur të dy palët në rivendosjen e paqes duke mbajtur qëndrim të ekuilibruar dhe të paanshëm, gjë që e bën atë një bashkëbisedues të pranueshëm nga të gjitha palët. E në të gjithë këtë kuadër shumë komentatorë pranojnë se iniciativa të tilla ndërmjetësuese dëshmojnë për funksionimin e Strategjisë së Sigurisë Globale të iniciuar nga Presidenti Xi.
Pa dyshim se të bindësh Rusinë dhe Ukrainën që të ulen në tryezën e bisedimeve është me të vërtetë një detyrë shumë e vështirë dhe komplekse, por diplomacia e mbiquajtur “arti i të mundurës” nuk resht në përpjekjet e saj. Dhe në rastin konkret pozicioni i paanshëm i Kinës i ka dhënë asaj hapësirën diplomatike dhe kualifikimin për të dëgjuar plotësisht kërkesat dhe shqetësimet e Rusisë dhe Ukrainës dhe të luajë një rol të përgjegjshëm në zgjidhjen e krizës. Ajo është një partner i besueshëm dhe i paanshëm për të dy palët, çka është kryekushti për tu angazhuar në iniciativa të tilla. Megjithatë arritja tek kompromisi midis palëve në konflikt është një rrugë e gjatë dhe e vështirë me shumë të panjohura, gjë për të cilën diplomacia kineze është e ndërgjegjshme. Por vullneti i mirë i Kinës dhe i Presidentit Xi Jinping për tu angazhuar në një mision të tillë paqeje kundër luftës po mbështetet gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, i cili është i interesuar gjithnjë e më shumë për dhënien fund të luftës në Ukrainë nëpërmjet dialogut, që të arrihet një kompromis i pranueshëm nga të gjitha palët.