Mosdhënia e detajeve nga takimet e ndërmjetësuesve perëndimorë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, janë sinjal se ende ekziston bllokada në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Kështu thotë Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.
Të premten, më 20 janar, Prishtinën dhe Beogradin e ka vizituar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo.
Temë e diskutimeve ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ndërmjetësuesit nga Perëndimi theksuan se kanë pritur nga Prishtina më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi. Ndërkaq në Beograd, sipas tyre, kanë vënë re një “qasje të përgjegjshme dhe gatishmëri për vendime të vështira”.
Weber konsideron që problemi në këto bisedime është se ato po mbahen prapa dyerve të mbyllura, ndërkohë që “edhe më tej ka rezistencë në tentimin për të arritur përparim lidhur me propozimin e BE-së ose të ashtuquajturit propozim gjermano-francez”.
“Përderisa është e paqartë dhe jopublike prapavija e kësaj qasjeje, është vështirë të vlerësohet se a ekziston vërtetë ndonjë dinamikë, ndonjë plan që shërbehet me disa afate që janë me kontekst të caktuar dhe të rëndësishëm ndërkombëtar apo e gjithë kjo është vetëm përpjekje për t’i ofruar palët, në mënyrë që të arrihet deri te një përparim i shpejtë”, thotë Weber.
Ai gjithashtu shpreh mendimin se shprehja “kompromis”, që përdoret nga ana e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, në kontekstin e mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është “tejet e rrezikshme”.
“Kjo ka qenë pika kryesore e Vuçiqit dhe e regjimit serb në bisedimet rreth propozimit për shkëmbimin e territoreve”.
Ai nuk i përjashton krizat eventuale në veri të Kosovës, përderisa, siç thotë ai, nuk publikohen marrëveshjet dhe të mos u lihet palëve mundësia që t’i interpretojnë ndryshe-ndryshe./REL