Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të martën se bashkësia ndërkombëtare duhet të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, si “pasqyrim i ligjshëm i zgjedhjes së banorëve lokalë”, duke e krahasuar atë me pavarësinë e Kosovës.
“Gjëja e parë që duhet ta bëjnë të gjithë, është të pranojnë shprehjen e vullnetit nga njerëzit që jetojnë në Sevastopol dhe Krime. Pse është me keq kjo shprehje e vullnetit – dhe e kam thënë shumë herë – nga ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë? Nuk është. E vetmja gjë është se vendimi atje është marrë nga parlamenti, dhe këtu ishte një referendum popullor”, tha presidenti rus.
“Asgjë nuk mund të jetë më larg të vërtetës”, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës, analisti Bodo Weber, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit.
“Kishte një aparteid masiv të Serbisë, të regjimit të (Sllobodan)
Millosheviçit në Kosovë në vitet e 90-ta dhe asgjë nuk është e krahasueshme. Nuk ka pasur asnjë formë të diskriminimit apo ndonjë fushatë kundër rusëve në Krime, e lërë më në Ukrainën Lindore dhe absolutisht është e pakrahasueshme”, tha zoti Weber.
Nuk është hera e parë që presidenti rus përmend Kosovën në kuadër të arsyetimit për veprimet e tij. Në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë, vëzhguesit vunë re se ai përmendi Kosovën të paktën gjashtë herë gjatë fjalimit të tij.
Por, një aleate e vjetër e Serbisë, Rusia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.
Javën e kaluar Rusia hodhi pretendimet se “mercenarë” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po dërgohen për të luftuar përkrah forcave ukrainase kundër kryengritësve pro-rusë. Pretendimet e tilla u hodhën poshtë nga Shqipëria dhe Kosova./VOA