Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka realizuar një vizitë zyrtare në Türkiye, ku është takuar me homologun e saj turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency(AA).
Pas takimit mes tyre, Xhaçka dhe Çavuşoğlu kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në bashkëpunimin mes dy vendeve, zhvillimet rajonale dhe çështje të tjera.
Ministrja Xhaçka ka theksuar se shqiptarët dhe turqit ndajnë shumë histori, shumë miqësi, jo vetëm në nivel zyrtar, por mbi të gjitha në nivel njerëzor.
Ajo shtoi se janë mirënjohës që kanë pasur mbështetjen e Türkiye-s gjatë momenteve të vështira, siç theksoi ajo, “ku dua të nënvizoj dy nga rastet më të rëndësishme, ndihmën dhe mbështetjen bujare për rindërtimin tonë pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019, por dhe ndihmën bujare gjatë pandemisë së COVID-19″.
“Takimi ynë i sotëm vjen edhe në kuadër të Grupit për Dialog Politik dhe shënon nisjen zyrtare të tij, siç parashikohet në deklaratën për partneritetin strategjik. Në takimin tonë u ndalëm në përgatitjet për takimin e ardhshëm të Nivelit të Lartë të Këshillit të Bashkëpunimit, i cili do të drejtohet nga presidenti Erdoğan dhe kryeministri Rama”, tha Xhaçka.
Ajo tha se sot diskutuan konkretisht mbi bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe tregtisë dhe shtoi se i ka kërkuar homologut të saj turk që të ndihmojë në përshpejtimin e procedurave të brendshme në Türkiye për të finalizuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes për njohjen e lejeve të drejtimit.
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, pas takimit të tij në Ankara me homologen e tij shqiptare, Olta Xhaçka, ka bërë të ditur se Türkiye dhe Shqipëria do të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh në takimin e ardhshëm të këshillit të bashkëpunimit strategjik të nivelit të lartë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët me ministren Xhaçka, ministri Çavuşoğlu përshëndeti lidhjet e forta mes dy vendeve, si dhe theksoi se në takim kanë diskutuar mbi takimin e ardhshëm të këshillit të bashkëpunimit strategjik të nivelit të lartë.
Pa dhënë një datë për mbledhjen e këshillit, Çavuşoğlu tha se ata kanë bërë negociata për disa marrëveshje që do të nënshkruhen në takim, derisa akoma janë duke diskutuar për të tjerat.
Siç njoftoi ministri turk, energjia e rinovueshme, rrjetet e transportit, industria e mbrojtjes, siguria kibernetike, shëndetësia dhe bujqësia janë ndër temat që do të trajtohen në mbledhjen e këshillit.
Sa i përket vëllimit të tregtisë dypalëshe, Çavuşoğlu tha se Türkiye pret që vëllimi i tregtisë të kalojë 1 miliardë dollarë në vitin 2022 duke marrë parasysh “numrat nga tetë muajt e parë të këtij viti”.
Ai po ashtu shprehu dëshirën për të mbajtur Komisionin e Përbashkët Ekonomik, që u mbajt dy vjet më parë.
“Si Türkiye, ne jemi numër një në Shqipëri me investimet që kemi bërë në vend”, shtoi ai.
Të dy zyrtarët trajtuan edhe mënyrat për të përmirësuar më tej lidhjet në sektorë të tjerë, përfshirë industrinë e mbrojtjes, ndërsa Çavuşoğlu shprehu gatishmërinë e Türkiyes për të forcuar kapacitetin e mbrojtjes së Shqipërisë.
“Ne kemi diskutuar edhe çështjen e FETO-s”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se grupi terrorist, që qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016 në Türkiye, nuk është vetëm një kërcënim për Türkiyen, por edhe për vendet e tjera ku organizata terroriste është aktive.
Ai gjithashtu tha se Ankaraja pret që Tirana të përfundojë procesin gjyqësor për themeluesin e arratisur turk të shkëmbimit të kriptovalutave, ku procesi i pestë gjyqësor do të mbahet më 10 nëntor.
27-vjeçari Faruk Fatih Özer, i kërkuar nën akuzat për mashtrim dhe themelimin e një organizate kriminale, u largua nga Türkiye vitin e kaluar dhe investitorët nuk mundën të marrin paratë e tyre.
Türkiye lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar pasi ai u arratis nga Türkiye me një shumë të raportuar prej 2 miliardë dollarësh të derdhura në ‘Thodex’.
Shefi i diplomacisë turke gjithashtu përshëndeti rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe shprehu vullnetin e vendit të tij për të ofruar të gjitha mjetet e mbështetjes./AA