Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka informoi sot se gjatë vitit 2023 do të vijohet me intensifikimin e agjendës bilaterale dhe forcimin e mbulimit diplomatik, ndërsa pritet hapja e ambasadës shqiptare në Ukrainë.
Gjatë një konference për shtyp, Xhaçka tha se pritet po ashtu edhe hapja e ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë dhe zyrtarizmi i vendimit për hapjen e ambasadës sonë në Baku.
“Mbetemi tërësisht të angazhuar në diskutimet në KS për rajonin tonë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën por njëkohësisht edhe të çështjeve në vendet dhe rajonet që janë në qendër të vëmendjes së aktivitetit të Këshillit”, tha ajo.
Xhaçka theksoi se në vitin që sapo u mbyll u forcua gjithashtu edhe angazhimi me diasporën shqiptare, në ruajtjen dhe konsolidimin e identitetit shqiptar përtej kufijve dhe konkretizim të mëtejshëm të kontributit të diasporës në vendin amë.
Ajo informoi se shumë shpejt do të organizohet në Tiranë samiti i 3-të i Diasporës ku do të përcaktohen projektet për të ardhmen si dhe do të ngrihet Qendra Kulturore Shqiptare në Athinë, në mbështetje të ruajtjes së identitetit shqiptar, veçanërisht përmes mësimit të gjuhës dhe historisë.
Ministrja informoi se “Shqipëria do të marrë kryesinë e Fondit për Ballkanin Perëndimor për periudhën janar – dhjetor 2023”.
Po ashtu, ajo theksoi si objektiv ndjekjen e procedurave për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të nënshkruara në nëntor 2022, në kuadër të procesit të Berlinit, si dhe ndjekjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Ballkanit të Hapur.
“Do të thellojmë bashkëpunimin, edhe me mbajtjen e takimeve G2G me Kosovën, me shkëmbimin e diplomatëve midis dy ministrive të jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë dhe përfundimin e procedurave për Konsullatat e Përbashkëta. Do të thellohet bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut, sidomos puna e përbashkët për Korridorin VIII, që do të thotë se përtej bashkëpunimit dypalësh, do të ketë një dialog të forcuar për Korridorin VIII edhe me Bullgarinë dhe Italinë”, tha ajo.
Ministrja theksoi se me Italinë, do të nxitet fillimi i zbatimit të marrëveshjes për pensionet dhe me Greqinë do të vijojë mbajtja e takimeve teknike për përfundimin sa më shpejt të marrëveshjes për pensionet.
“Do të vijojë puna teknike për përgatitjen për negociatat me Greqinë për arritjen e një kompromisi mbi pyetjet që do t’i shkojnë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me çështjen e kufizimit të zonave detare. Arritja e këtij kompromisi që do të bënte të mundur referimin e çështjes në Gjykatë. Po planifikojmë aktivitete të përbashkëta për 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Turqinë”, tha ajo.