Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka vizituar këtë të premte Shqipërinë. Pas takimit me homologen shqiptare, Olta Xhaçka, në konferencën e përbashkët për shtyp, u diskutua në lidhje me integrimin e dy vendeve në BE.
Ministrja Xhaçka deklaroi se si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë Ndërqeveritare.
“Të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e Kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne-pjesa dërrmuese e popullsive tona-besojmë te perspektiva evropiane”, tha Xhaçka.
Ministri Osmani vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, teksa theksoi se qëllimet dhe interesat për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal janë të dyanshme.
“Marrëdhëniet midis dy vendeve tona prej kohësh e kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë dhe janë bazë e themeleve të miqësisë stabile dhe afatgjatë. Besoj se është përtej interesave të dy vendeve tona dhe është një nga shtyllat për stabilitetin sigurinë dhe prosperitetin e gjithë rajonit. Qëllimet dhe interesat për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal janë të dyanshme. Si fqinj të afërt jemi drejtpërdrejtë interesuar për suksesin e dialogut Prishtinë-Beograd të udhëhequr nga BE dhe SHBA, i cili në masë të madhe do të frymëzojë një impuls të ri të besimit në rajon. Kontributi ynë në bashkëpunimin rajonal është i sinqertë dhe i hapur, pa marrë parasysh sa flitet brenda procesit të Berlinit apo nga minishengeni rajonal. Në këtë drejtim pata nderin t’i prezantoj ministres nismën e re për bashkëpunim 3 palësh e cila buron nga vendi ynë. E ashtuquajtura iniciativa 8. Është një iniciativë e mirë që duhet të rinovojë mbështetjen politike, për projektet e infrastrukturës përgjatë korridorit europian duke lidhur kështu Lindjen dhe Perëndimin e Ballkanit nga Adriatiku në Detin e Zi. Të tre vendet, RMV, Shqipëria dhe Bullgaria mund të gjejnë një forum të vlefshëm për promovimin e bashkëpunimit tre palësh duke intensifikuar shkëmbimin e përgjithshëm politik ekonomik të sigurisë, atë kulturor dhe shoqëror që do të forcojë besimin mes qytetarëve tanë, tha Bujar Osmani