Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti sot ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca dhe ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov.
Xhaçka u shpreh se, në takim u zhvillua një diskutim i hapur mbi situatën në Ukrainë dhe skenarët për bashkëpunim.
Ajo theksoi se ka marrëveshje të plotë për nevojën për të mbështetur Ukrainën dhe për të mbajtur përgjegjëse Rusinë.
“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Ukrainën!, theksoi Xhaçka.
“Prita sot Ambasadoren e SHBA,Yuri Kim, Ambasadorin e BE Luigi Soreca dhe Ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov. Diskutuam mbi situatën në Ukrainë dhe skenarët e mundshëm për bashkëpunim. Dakordësi e plotë mbi mbështetjen ndaj Ukrainës dhe për të mbajtur Rusinë përballë përgjegjësisë. Në solidaritet të plotë me Ukrainën”, u shpreh ministrja Xhaçka në një reagim në Twitter.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim gjithashtu reagoi pas takimit, duke u shprehur se, “u bashkova sot me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhçka dhe ambasadorin e BE-së. Lugi Soreca, për t’i shprehur ambasadorit të Ukrainës, Volodymyr Shkurov solidaritetin tonë dhe mbështetjen për Ukrainën”.
“SHBA, BE, Shqipëria dhe të tjerët në mbarë botën qëndrojnë së bashku me vendosmëri duke kërkuar nga Rusia të ndalojë pushtimin e saj të paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës”, tha Kim.
“SHBA do të vazhdojë të punojë me BE, Shqipërinë dhe aleatët e tjerë dhe partnerët për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e vetvetes. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të marrim masa konkrete, duke përfshirë sanksionet e paprecedenta, për të mbajtur përgjegjës qeverinë dhe zyrtarët rusë për veprimet e tyre. Qëndrojmë me Ukrainën”, u shpreh Kim.