Ajo vjen me një antologji të titulluar “Troje”. Është një përmbledhje me poezi e 25 viteve karrierë në shkrimtari të kësaj lëmie, ku janë përmbledhur poezitë më të mira të pesë vëllimeve të mëparshme dhe një vëllim i gjashtë, i ri i pabotuar më parë.
Ajo qëndron duke pritur e përshëndetur vizitorët në stendën “Dritëro” në panairin Klik Ekspo Group në Pallatin e Kongreseve.
Ndal për një bisedë me Linda Agollin për të kuptuar se çfarë është ky libër i ri dhe ç’kujton nga fillimet e saj e çfarë roli ka patur në krijimtari xhaxhai, që gjatë bisedës ajo flet për të në kohën e tashme, sepse shkrimtari Dritëro Agolli, për të mbesën është; në çdo shkronjë, në çdo këshillë, kudo ku ajo hedh sytë.
““Troje” është esenca ime për poezinë që tashmë është dhënë në këta pesë libra dhe mendova ta finalzioj tek ky vëllim. Me një ide që asnjëherë nuk do ndalem së shkruari poezi. Mund të thuash; pse nuk do ndalesh, nga e di ti? E vërtetë, unë nuk mund ta di. Sepse poezia vjen vetë, nuk e urdhëroj unë. Më urdhëron mua poezia. Por meqënëse e gjithë vëmendja ime, dashuria ime e madhe është në drejtim të saj, mendoj që nuk do të ndaloj ndonjëherë.”- shpjegon Linda Agolli.
Idea e përmbledhjes dhe hedhjes së poezive më të mira në këtë vëllim, sqaron shkrimtarja Agolli, është edhe e redaktorit të librit, “por më erdhi e ngrohtë dhe e pranueshme për qëllimin që unë kisha për tu prezntuar me poezinë.”
Ajo ka bërë në këtë antologji poetike një renditje sipas titujvë të librave, por ka menduar t’ju jap vetëm nga një fjalë përfaqësuese për të qenë në unison me titullin përmbledhës të të gjithë librit.

Po ashtu, ajo thotë se është përpjekur të zgjedhë poezitë më të arrira, ato që ajo mendon se e përfaqësojnë. Dhe pavarësisht se një pjesë të madhe nuk e ka përfshirë, pothuajse dy të tretat e poezive, “ato prapë mbeten poezitë e mia, janë në vlerësimin tim, në dashurinë time është më e saktë, por për tu përfaqësuar me një libër të tillë ishte kjo zgjedhje.”- thotë Agolli.
Kjo përmbledhje është ajo çfarë poetja ofron, pastaj është lexuesi që e qas, e lexon, e shijon dhe e vlerëson.
Tek e pyes për fillimet e saj, poetja rrëfen duke sjellë ndërmend se poezia e parë i është kushtuar mësueses. E botuar në një organ që ajo me sa mban mend ishte e Komitetit Qëndror dhe quhej “Shqipëria e re”, pro që Agolli ishte e pavetëdijshme se ç’po bënte dhe nuk e çonte në atë kohë në mendje që kjo poezi do të përcaktonte karrierën e saj në të ardhmen. Fillimet, thotë ajo, gjithmonë janë të pavetëdijshme.
“Kështu ka qenë për mua. Si koncept, si përvojë. Fillojnë vetiu, si të pavetëdijshme dhe përgjatë rrugës ndodh ndërgjegjësimi se si i ke hyrë kësaj rruge.”- shprehet poetja Agolli.
Ajo sqaron se nuk mund të thuhet që botimi i poezisë aty, në atë moshë të ishte përcaktimi i rrugës së saj. Ajo ishte thjesht një shfaqe. Unë, thotë poetja, sot e përdor si hap të parë, por nuk mund të them që isha e vetëdijshme për këtë gjë.
Pas kësaj, rrëfen ajo, jam ndjerë me nevojën e madhe për tu shprehur. Është e pamudnur, për poeten Agolli, të kenë të gjithë të njëjtën mënyrë për tu shprehur.
Ishte e thënë, thotë ajo, që unë të kisha këtë mënyrë për tu shprehur; fjalën, të shkruarin.
“Atë zë që unë desha ta nxirrja jashtë me tingull, por që mund të dëgjohej ngado dhe mund të mos ishte e këndshme, atë zë unë e hodha në letër dhe vazhdova të shkruaj veten time në ato që shkruaja.”- shprehet Agolli.
Deri tani ajo ka përqafuar zhanrin e poezisë, të cilin me bindje ajo thotë se nuk ka për ta braktisur kurrë. Tek poezia, Agolli shpjegon se do të vazhdojë dhe me kohë mendon se ato mund të bëhen sërish një vëllim, por me prozën ajo ka një lidhje të brendshme, të padeklaruar. Poetja Agolli rrëfen se ka shkruar tregime që i ka botuar në revista të ndryshme, por dëshiron të bëjë një përmbledhje si fillim me tregime. Më mbrapa, pastaj kismet, nuk dëshiron të premtoj me fjalë, por të tregojë me vepra. Ajo tregon se ka gati tashmë një vëllim me ese.
Veçoria e artistikes së shkrimatres është poetizimi i çdo zhanri kur ajo shkruan.
Unë e kam të pamundur, thotë ajo, të mos fus poezinë në prozë.
“Poezia vjen, nuk e thërret. Mund të bërtas gjithë ditën hajde, hajde, ajo nuk vjen., Ajo vjen nga ngacmimet, Aq sa shqisa ka njeriu, aq ngacmime i vijnë nëse i ngacmon këto shqisa. Ngacmimet tek unë kanë ardhur nga e përditshmja, nga kontaktet me njerëzit, nga fenomenet, të parit, të dëgjuarit. Këto kanë qenë shkaku që unë të jap atë çfarë kam brenda vetes dhe të nxitem për të nxjerrë më të mirën dhe më të përshatturën me këto ngacmime.”- shpjegon Agolli ndërsa e pyes se ngase frymëzohet për të shkruar poezitë e saj.
Ajo i do ato që shkruan. Ajo i pëlqen poezitë e saj, sepse aty ka derdhur shpirtin, e ka lënë të lirë.
Teksa poezia e parë ka qenë për mësuesin, një nga poezitë që ajo i do fort librit të ri, antologjisë, është një poezi që u ka kushtuar prindërve të saj, por që është për prindërit e gjithsecilit.
Mbledh copëza Atdheu dhe ngre pallat mbretëror
Në shkallët më pret nëna
Kujtesën e ka të humbur
E la në kalimet e shkuara të zemrës
Thotë se është jetime dhe ende qan në gjumë
Të sajtë me vite migruar nën tokë
Tërheqin litarë dashurie zvarrë
E kërkojnë
Të humbur e ka kujtesën
E la në avuj ëndrrash të vjetra
Si kish një djalë dhe gëzon për të
Dhe vajzat janë nga pak secila, djali i vetëm i saj
Në shkallë më pret nëna me dashuri të përjetshme
Mbledh copëza Atdheu dhe hyj në pallat mbretëror
Në portë më pret ati
Flokun e ka të bardhë
Dhe ndrit në çdo fije një paraardhës
Thonë se ngjan stërgjyshin dhe rrëfen për të
Këto ditë me vite mërguar nën tokë
Burojnë dritë fryme e bekojnë
Në portë më pret ati,
Krahëhapur përjetësisht
Mbledh copëza atdheu dhe ngjitem
Shkallëve dy e nga dy
Të një pallati mbretëror
Të atij pallati të vjetër të babait tim
Poezia e saj karakterizohet nga vargu i lirë, por ka rrjedhur natyrshëm, nuk ka qenë ë qëllimtë.
“Fillimet e mia kanë qenë tek rima, ndoshta e ndikuar nga parardhësit, nga stili zotërues. Më pas kam dashur të ndjehem më e lirshme, të mos ta zgjedh fjalën, por ta shpreh siç vjen. Bëhet fjalë për fjalën artistike.”- shpjegon poetja Agolli.
Për të, përveç faktit që të shprehurit jo në kornizën e rimës, poezia të lejon edhe në shprehjen e emocionit, shprehjen e asaj që do të transmetosh në mënyrë të plotë, nuk ke kufizim. E natyrshmja për të është më mirë.
E bukur do ishte, thotë ajo, të ushtroja sonetin. “Ai ka rregulla, por e kam të vështirë, Kam tentuar. Për këtë libër ka sonet, por i pamenduar. Kam bërë atë që ka ardhur, Nuk jam shtrënguar.”- thotë Agolli.
Tek kujton fillimet dhe xhaxhain, xhaxhain dhe fillimet, një lidhje që nuk ka të parë e të dytë se janë kondicionuar reciprokisht,
“Lidhja e gjakut është një gjë. Ai është xhaxhai im. E kam për nder ta përmend këtë. Por lidhja tjetër ekziston në planin letrar. Në kuptimin që në një farë mënyre, ai u bë udhërrëfyes për një
rrugë të cilën unë fillimisht nuk do mundja ta nisja vetë. Pse e them këtë; jo me ndihmën e të këshilluarit, me ndihmën e komunikimit, me të thënit, por me poezinë e tij. Si të tjerë që e kanë simbol, edhe për mua është simbol i poezisë.”- shpjegon Linda Agolli.
Ajo vlerëson shumë, sidomos filozofinë që ngërthehet në poezinë e Dritëroit.
“Pra nëse jemi ngjashëm nga gjaku, edhe këto gjëra në një farë mënyrë do të vijnë ngjashëm. Është fat që unë kam një xhaxha të tillë. E them në të tashmen sepse për mua ai është.”- thotë ajo.
Linda Agolli kujton se, kur deshi të botonte vëllimin e parë me poezi, do ti shkonte në studio të xhaxhit, Dritëroit dhe do ti thoshte: “xhaxhi këto janë poezitë e mia, kam qejf ti botoj. Isha goxha e rritur. Kam qenë në një moshë të pjekur, por me pjekurinë vjen edhe kujdesi, edhe përzgjedhja. Dhe unë jam qibare në këto gjëra.”- shprehet Linda Agolli.
Ajo vazhdon rrëfimin, “Ai i lexoi. Ndjeva që i pëlqeu, por doli ndryshe nga ç’e prisja. Dëgjo, tha, vetëm shkruaj. Mos e ndalo dorën asnjëherë. Për të botuar gjithnjë ka kohë. Fillimisht e mora siç u tha, pa i hyrë në thellësi. Në vazhdimësinë e krijimtarisë unë kuptova që ai më kishte lënë një këshillë të madhe, kuptova që pas saj nënkuptohej, “do shkruash dhe më bukur, të mos pendohesh për ato që ke publikuar më parë, të rritesh dhe të dalësh e rritur”.
Linda Agollit i vlejti tepër ajo këshillë derisa ka mbërritur në një korsi të poezisë nga ku sheh vetëm përpara dhe e pandashme me të.
Ajo thotë se xhaxhai i saj, Dritëro Agolli ka qenë një mësues i mirë dhe sot është gjithmonë pranë saj e i paharrruar si për shumë syresh që e vlerësojnë dhe e duan atë dhe veprën që ai ka lënë.