“Mesjeta arbërore e shek. XI-XIV: një vështrim mbi problematikën” titullohej leksioni akadamik i mbajtur sot nga akademik Pëllumb Xhufi në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në veprimtarinë e moderuar nga prof. dr. Neritan Ceka, ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, zv.kryetar Vasil Tole, sekretari shkencor Shaban Sinani, si dhe akademikë, studiues të njohur e studentë të fakultetit të historisë.
Prof. dr. Ceka tha se dilemat e Arbërit dhe çështjet që ngrihen mbi këtë popullsi krijohen aty ku ishte dhe epiqendra e popullsisë ilire, pikërisht në territorin e arbërve.
Fillimisht Pëllumb Xhufi prezantoi librin e ri të akademik emeritus Gjovalin Shkurtaj “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe”, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Ai e përgëzoi autorin dhe e cilësoi si një arritje për të dhe arritje të madhe për Akademinë e Shkencave.
Xhufi foli për periudhën e errët të Mesjetës, që cilësohet periudha e parë e saj, Mesjeta e Hershme.
Ai theksoi se për sa i përket historisë së Shqipërisë për të zhdukur terrin e periudhës nga shekulli IV deri në shekullin e XI duhet t’u bëhet homazh profesorëve shqiptarë dhe veçanërisht Aleks Budës që krijoi shkollën historiografike shqiptare.
“Historia ishte shkruar edhe më parë, por në kushte të mungesës së institucioneve”, tha Xhufi, duke shtuar se sot që Shqipëria është hapur ngelet një sfidë e madhe zbulimi i dokumentacioneve për Mesjetën.
“Arkiva e Venedikut është një minierë e pafundme, ku ka rreth 2500 dosje me materiale për Shqipërinë. Kam përpunuar vetëm 110 dosje për gjashtë muaj atje, por në afër 2400 dosjet që kanë ngelur duhet një punë e organizuar dhe duhet të krijohen kuadro të rinj për këto kërkime. Në universitetet italiane ka qindra studentë shqiptarë, por nuk ka studentë që studiojnë letrat klasike, greqishten e vjetër, latinishten, etj., që janë të domosdoshme për studimet albanologjike, tha Xhufi.
Ai paraqiti një varg problemesh që pengojnë në ndriçimin e historisë së Mesjetës së Hershme.
Xhufi trajtoi edhe ndikimet e paragjykimeve në histori të krijuara nga mite apo autorë të ndryshëm, ku kalimi nga antikiteti në mesjetë paraqitet në mënyrë “apokaliptike”, shoqëruar me dyndje barbarësh, krime, vrasje dhe shpërngulje masive.
Për sa i përket çështjes së sllavizimit të shqiptarëve, Xhufi iu referohet edhe vetë bizantinistëve dhe autorëve të kohës që pohojnë një relativizim të kolonizimit sllav, ku përkatësisht zona e Shqipërisë së sotme e Temës së Durrësit, Nikopojës, Diaklesë dhe Dardanisë, nuk janë prekur nga sllavizimi. Janë prekur nga inkursionet, por jo nga fenomeni i kolonizimit.

“Sot e kësaj dite në Temën e Durrësit e në Dalmaci banojnë “shtetasit romej”, siç i quanin bizantët. Ndërkohë kemi toponime në gjuhën sllave dhe ndoshta në fushën e toponimisë nuk është punuar fort nga gjuhësia shqiptare”, tha akademiku Xhufi.
Xhufi shpjegoi origjinën shqipe të disa toponimeve të përkthyera deri në Kotorr, Mal të Zi, e më tej.
Në fund ai tha se “Shqipëria e mesjetës ka qenë një vend i lulëzuar me qytete dhe qytet-shtete të pavarura, siç shkruan Milan Shuflaj, që e ndriçoi historinë e shqiptarëve në trevat e Ilirisë së dikurshme. Shuflaj i bëri shqiptarët dhe historinë e tyre objektin parësor të hulumtimeve të tij, i bindur për vendin e rolin e tyre si faktor kryesues në proceset historike të krejt rajonit ballkanik e të pellgut Adriatik”.
“Për herë të parë ai i ktheu historisë së Shqipërisë e të shqiptarëve qytetin, si Shkodra, Tivari, Ulqini, Prizreni, Durrësi, Vlora, Drishti, Shasi, Berati, Janina, Kanina, Shkupi, e Kruja, por edhe në formën më të lartë të organizimit e civilizimit, statutet me të cilat qytetet shqiptare renditen në mesjetë në radhën e qyteteve më të përparuara evropiane”, tha akademiku Pëllumb Xhufi.