Presidenti i Kinës Xi Jinping mori pjesë në Ngjarjen Virtuale të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) të Agjendës së Davosit dhe mbajti një fjalim të posaçëm të hënën në Pekin përmes lidhjes me video.
“Pandemia është larg përfundimit. Ringjallja e fundit e rasteve të epidemisë na kujton se duhet të vazhdojmë luftën,” tha presidenti Xi.
“Duhet të mbetemi të bindur se dimri nuk e ndalon dot ardhjen e pranverës dhe errësira nuk mund ta mbështjellë dritën e agimit,” tha ai
Presidenti Xi shtoi se çdo vend është i veçantë për nga historia, kultura dhe sistemin e tij shoqëror dhe askush nuk është në një pozitë dominuese.
Ai theksoi se kriteret më të mira janë nëse historia, kultura dhe sistemi shoqëror i një vendi i përshtaten gjendjes së veçantë të një vendi, gëzojnë mbështetjen e njerëzve, shërbejnë për të dhënë stabilitet politik, përparim shoqëror dhe jetë më të mirë dhe kontribuojnë në përparimin njerëzor.
Presidenti kinez shtoi gjithashtu se asnjë problem botëror s’mund të zgjidhet nga një vend i vetëm, prandaj duhet të ketë veprim, reagim dhe bashkëpunim global. Ndërtimi i qarqeve të vogla apo nisja e një lufte të re të ftohtë vetëm sa e shtyn botën në përçarje e madje në përballje.
Presidenti Xi nënvizoi nevojën për të qëndruar pranë vlerave thelbësore dhe parimeve bazë të multilateralizmit, për t’u përshtatur me ndryshimin e peizazhit ndërkombëtar dhe për t’iu përgjigjur sfidave globale.
“Ne duhet të bëjmë reforma dhe të përmirësojmë sistemin e qeverisjes globale mbi bazën e konsultimit të gjerë dhe ndërtimit të konsensusit,” shtoi ai.
Xi theksoi se loja e “shumës zero” (kur më i forti i merr të gjitha), nuk është filozofia e popullit kinez. Si një ndjekëse e vendosur e një politike të jashtme të pavarur të paqes, Kina po punon shumë për të ndjekur marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunuese me vendet e tjera.
Xi i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bashkohet dhe të bashkëpunojë.
Ai shtoi se kemi vetëm një Tokë dhe një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, duke u bërë thirrje vendeve të bashkëpunojnë për t’u përballuar me krizën e tanishme si dhe të bëjnë përpjekje për të krijuar një të ardhme të bukur për këdo.
“Le të bashkohemi të gjithë dhe të lejojmë që multilateralizmi të na ndriçojë rrugën tonë drejt një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit,” tha presidenti Xi në fund të fjalimit të tij.