Presidenti kinez Xi Jinping i tha të mërkurën Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres se Kina nuk ka si qëllim të ndryshojë gjendjen e tanishme të sistemit ndërkombëtar, por është e gatshme të përmirësojë qeverisjen globale nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara.
Ai i tha këto gjatë një takimi virtual me kreun e OKB-së në kuadër të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Pak kohë më parë, Xi shpalli një sërë masash të reja për të përkrahur OKB-në në luajtjen e një roli kyç në çështjet ndërkombëtare.
Presidenti kinez bëri thirrje për një reagim global ndaj virusit dhe për t’i dhënë Organizatës Botërore të Shëndetësisë një rol udhëheqës në këtë drejtim. Xi Jinping-u premtoi gjithashtu se Kina do të shtojë me 50 milionë dollarë amerikanë mbështetjen financiare për Planin e Përgjigjes Humanitare Globale ndaj COVID-19 të OKB-së.
Sipas tij, Kina do të krijojë Fondin e Mirëbesimit të Bashkëpunimit Jug-Jug të fazës së tretë me Organizatën e Ushqimit dhe të Bujqësisë, me një vlerë prej 50 milionë dollarësh amerikanë, duke zgjatur pesë vjet financimin e Fondit për Paqen dhe Zhvillimin Kinë-OKB, që i mbaron afati në vitin 2025. Kina do të krijojë edhe Qendrën Globale të Njohurive dhe Risive Gjeohapësinore të OKB-së dhe Qendrën Kërkimore Ndërkombëtare të të Dhënave të Mëdha për Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm, që do të ndihmojnë në zbatimin e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të OKB-së.
Xi i ritheksoi shefit të OKB-së se Kina është e angazhuar të mbrojë paqen botërore dhe rendin ndërkombëtar dhe do të vijojë të jetë kontribuuese e zhvillimit global.
Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje gjithashtu se pandemia e COVID-19 tregoi se sa shumë ka nevojë bota për një sistem ndërkombëtar me OKB-në në qendër, duke bërë thirrje për përpjekje globale për të kapërcyer kufijtë shtetërorë e ideologjikë në të menduar, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për gjithë njerëzimin.
Pandemia i ka rënduar më tej problemet e qeverisjes globale dhe palët përkatëse duhet të mendojnë si ta përmirësojnë sistemin e tanishëm, në vend që ta përmbysin atë dhe të krijojnë një sistem të ri.
“Në botën e tanishme ka vetëm një sistem, pikërisht sistemi ndërkombëtar me OKB-në në qendër, dhe vetëm një tërësi rregullash, që janë normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare të mbështetura mbi Kartën e OKB-së. Kina kundërshton përballjen ideologjike, shkëputjen dhe hegjemoninë”, shtoi presidenti kinez.
Ai u shpreh se gjëja për të cilën interesohen më shumë liderët kinezë është përmirësimi i jetesës së popullit kinez, por vuri në dukje se Kina nuk do të bëjë kompromise lidhur me sovranitetin, dinjitetin e zhvillimin dhe do të mbrojë me vendosmëri të drejtat e veta, si edhe barazinë e drejtësinë ndërkombëtare.
Xi nënvizoi njëkohësisht se vendet e ndryshme duhet të forcojnë ndërlidhshmërinë dhe të kenë një mënyrë të menduari që shkon përtej kufijve shtetërorë, etnikë, kulturorë dhe ideologjikë, për të punuar së bashku dhe për të ndërtuar një bashkësi të fateve të përbashkëta të njerëzimit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ishte në një mendje me presidentin Xi se bota ka nevojë më shumë se kurrë për multilateralizmin e bashkëpunimin përballë pandemisë, ndryshimit klimatik dhe sfidave të tjera, si edhe për një OKB më efektive.
Guterresi falënderoi edhe për mbështetjen e Kinës ndaj multilateralizmit dhe organizatës së drejtuar prej tij.
“Kina luan një rol konstruktiv në ruajtjen e paqes dhe nxitjen e zhvillimit global. Me përkrahjen e Kinës, OKB-ja mund të funksionojë në mënyrë më efektive”, tha numri një i OKB-së.
Ai përshëndeti edhe propozimet e Xi-së për rolin e OKB-së në epokën paspandemike, duke shtuar se organizata e tij është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme dhe shpreson se Kina do të luajë një rol udhëheqës./CRI