Ata që e kanë të qartë se çfarë duhet bërë me marrëveshjen e 5 Qershorit janë ndërkombëtarët.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ishte të martën në zyrën e kryeministrit Edi Rama për të diskutuar mbi shumëçka, përfshi edhe marrëveshjen e 5 Qershorit.
“Ambasadorja Yuri Kim u takua me kryeministrin për 2 orë për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh përfshi pritshmëritë e qarta dhe të mirënjohura të SHBA në lidhje me marrëveshjen e 5 Qershorit të Këshillit Politik”, u shprehën zyrtare të ambasadës amerikane.
Më herët mes dy forcave kryesore politike në vend pati qëndrime replikash në distancë. Kryeministri Edi Rama postoi një video se pse duhen listat e hapura, ndërsa Partia Demokratike publikoi dokumente për të treguar se Rama me listat e hapura, po synon të heq zyrtarisht koalicionet parazgjedhore, aty ku në fakt PD-ja nuk bie asfare dakord.
Në mes këtij debati qëndron marrëveshja e 5 qershorit, ku në njërën anë demokratët kërkojnë që të miratohet sa më shpejt në Kuvend dhe pa ndryshime, dhe në anën tjetër këmbëngulin se me ndryshimet kushtetuese (pra me lejimin e listave të hapura dhe heqjen e koalicioneve), PS po prek në thelb marrëveshjen e arritur, në një tokë jo shqiptare, por atë amerikane./h.e