Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim zhvilloi sot një takim në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, me kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.
“Diskutim shumë i mirë sot me Enkelejd Alibeajn, kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike. Folëm për një gamë të gjerë çështjesh. SHBA ka pasur një marrëdhënie të fortë, të veçantë me PD që në lindjen e saj. Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD-së për Shqipërinë dhe shpresojmë që të forcohet. SHBA dhe Shqipëria kemi shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, demokracisë, ndërtimit e bashkëpunimit në mbrojtje dhe zgjerimin e mundësive të biznesit dhe ekonomik për të gjithë. Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa!”, shkruan Kim pas takimit.
Menjëherë pas deklaratës së Yuri Kim ka ardhur edhe reagimi nga Komisioni i Rithemelimit. Përmes një postimi, Edi Paloka e ka cilësuar si të “turpshme” etiketimin që ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, i bëri Enkelejd Alibeajt, të cilin e njohu si kryetar në detyrë të PD. Paloka shkruan në rrjete sociale se sipas tij Kim është angazhuar në vetë të parë për përçarjen e opozitës shqiptare, duke ndërmarrë një akt të fundit po me të njëjtin qëllim sipas tij. Paloka thekson se Ambasadorja Kim nuk respekton Konventën e Vjenës duke mos njohur vendimet e gjykatave shqiptare.
“Ky është më tepër se turp, është shkelje e jo vetëm çdo etike por dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë! Kjo zonja që uroi Ramën për “fitoren historike” pa mbaruar akoma procesi zgjedhor me 25 prill ; qe ka dale hapur ne mbështetje të qeverise me te korruptuar ne rajon ( siç e cilëson vete Departamenti Amerikan i Shtetit) dhe qe prej kohesh është angazhuar ne vete te pare ne përçarjen e opozitës shqiptare, sot ka ndërmarre një akt te fundit , gjithnjë ne shërbim te te njëjtit qellim. Zonja ambasadore , me arrogance , tregon se jo vetëm nuk respekton Konventën e Vjenës po nuk njeh as vendimet e gjykatave shqiptare megjithëse flet gjithe kohen për drejtësinë. Ti zonjë mund të takosh kë të duash dhe si të duash, po nuk mund te vendosesh mbi gjykatat shqiptare e sidomos mbi vullnetin e lire te demokrateve shqiptare”, ka shkruar Paloka.
Kujtojmë se kjo është deklarata e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi Berisha mundi Bashën në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit si dhe vendimit të Gjykatës për të njohur ndryshimet e bëra nga Sali Berisha në statutin e PD-së në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021.
Argumentum.al