Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i ka ofruar opozitës pjesëmarrje në qeveri për të çuar përpara reformat, në veçanti departizimin e administratës dhe pavarësimin e sistemit gjyqësor.
Me fokus të veçantë tek depolitizomi i administratës dhe pavarësia e sistemit gjyqësor, kreu i qeverise maqedonase, tha se për këtë propozim do të hapë një debat në partinë e tij, por nga ana tjetër refuzoi të ulet në bisedime për ketë çështje me liderin e opozitës Hristijan Mickovski.
Kryeministri maqedonas i kërkoi opozitës të gjejë një person të arsyeshëm, me të cilin mund të bisedohet dhe ai është gati ta përfshijë atë në qeveri.
Zaev në një intervistë për median vendase u tregua i gatshëm që këto bisedime të mos i drejtojë ai, por kushdo nga LSDM, mjafton që të gjendet gjuha e përbashkët me palët.
Për VMRO-DPMNE, me këtë propozim, Zaev ka pranuar se “vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe se shumica parlamentare është jo-efikase”.
Një reagim erdhi edhe nga Mickovski, i cili është prekur nga koronavirus dhe ndodhet i shtruar në klinikën infektive.
Ai shkruan në rrjetet sociale se do ta mposhtë sëmundjen dhe do të vijojë betejën e tij politike, por deklaron se nuk do të ketë asnjë pakt me qeverinë, që e akuzon si të lidhur me krimin.
Opozita çdo ditë e më shumë po këmbëngul në kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme.
Gjithashtu kërkohet që para zgjedhjeve të krijohet një qeveri ekspertesh, e cila të ketë projekte reale për të nxjerrë vendin nga kriza.
Kundër propozimit të kryeministrit Zaev, ka dalë Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë.
Zaev mori mbështetjen e 62 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, pasi kërkoi votëbesimin e qeverisë.