Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në Sofje u takuan me Kryeministrin e Bullgarisë, Stefan Janev, dhe një pjesë të ministrave të qeverisë bullgare.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, takimi dypalësh i dy delegacioneve u parapri nga një takim kokë më kokë i kryeministrave Zaev dhe Janev.
Kryeministrat e dy vendeve më pas mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp në të cilën Zaev ka shprehur kënaqësinë për mundësinë për t’u takuar me homologun e tij Janev, i cili, siç thuhet, krijoi një mundësi të shkëlqyeshme për të diskutuar çështje bilaterale me interes të të dyja vendeve.
“Së bashku duhet ta gjejmë zgjidhjen. Ne jemi politikanë të përgjegjshëm dhe kemi rënë dakord që bisedat tona të përqendrohen në thelbin e zgjidhjeve të mundshme dhe që ne do ta arrijmë atë synim përmes udhërrëfyesit, përmes bashkëpunimit sektorial të organizuar dhe zbatuar nga organet punuese përmes ministrive të jashtme të të dy vendeve”, ka thënë Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp.
Zaev theksoi se gjatë bisedimeve sot, është diskutuar bashkërisht edhe propozimi i presidencës portugeze në BE.
“Takimi sot është një hap drejt gjetjes së një zgjidhjeje që synon të jetë me interes për të dy palët. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi mbështetjen e qytetarëve të të dy vendeve. Unë u bëj thirrje vëllezërve në Bullgari përmes udhëheqësve të tyre që të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën e anëtarësimit të saj në BE, sepse vendi ynë nuk ka asnjë alternativë tjetër. Gjëja më e rëndësishme është që ne të besojmë në vlerat evropiane”, tha ai.
Në konferencën për shtyp, kryeministri bullgar Janev ka nënvizuar se Bullgaria mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt familjes evropiane dhe se për momentin ekziston një dritare e mundësive për dialog të hapur dhe të sinqertë, i cili, sipas tij, duhet të sjellë zgjidhje të ndërsjella të pranueshme në ditët në vijim me të cilat do të mundësohet zgjerimi i perspektivës evropiane për Maqedonisë e Veriut./AA