Shqipëria bën një hap para drejt monedhave virtuale. Një projektligj i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është depozituar për konsultim publik dhe parashikon vendosjen e disa rregullave për monedhat virtuale.
Aktualisht, nuk ka asnjë ligj që të parashikojë rregullimin, ndalimin apo penalitet në lidhje me aktivet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to.
“Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme siç janë, krijimi i skemave mashtruese apo skemave të pa autorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet” shkruhet në relacionin e projektligjit.
Kështu, projektligji synon të rregullojë kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatoreve dhe bursave dhe mbikëqyrjen e tyre, kushtet për emetimin e tokenve digjitale dhe monedhave virtuale dhe autorizimin nga Autoritetet kompetente, kushtet dhe rregullat për tregtimin e tokenve digjitale dhe monedhave virtuale, ofruesit e shërbimeve të kujdestarisë për palët e treta, si dhe parandalimin e praktikave abuzive në treg, ku parashikohen gjoba të rënda për cilindo, i cili shkel dispozitat e ligjit.
“Projekt-ligji i ri synon të krijojë avantazhe ekonomike për vendin nga përdorimi i teknologjisë DLT. Emetimi i rregulluar sipas këtij projekt-akti të tokenve digjitale dhe monedhave virtuale (Initial Coin Offering – ICO) dhe i tokenve digjitale te titujve (Securities Token Offering – STO) krijon premisa për sigurimin e një burimi alternativ financimi për hapjen e bizneseve të reja dhe bizneseve të tjera inovative që do ta kishin të vështirë ose të kushtueshme për të mbledhur kapital përmes kanaleve tradicionale të financimit. ICO/STO, gjithashtu, mund të ofrojnë një mjet të shpejtë dhe efektiv për të mbledhur para nga një bazë e diversifikushme investitorësh.
Nga ana tjetër ICO/STO mund të përfaqësojnë një mundësi tërheqëse investimi, duke përfshirë edhe investitorët e vegjël që zakonisht nuk kanë akses në financimin e investimeve të tyre në fazën fillestare. Kjo krijon mundësi për rritjen e përfshirjes financiare.
Një tjetër fushë në të cilën teknologjia e regjistrave të shpërndarë ka potencial të ndryshojë rrënjësisht strukturën e operimit dhe modelin e biznesit, është ajo e remitancave. Me një fluks hyrës prej 1.2 miliardë eurosh në vitin 2018, remitancat mbeten një nga kontribuesit kryesorë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke tejkaluar fluksin hyrës të investimeve të huaja direkte .
Nga ana tjetër, një studim i Bankës së Shqipërisë vëren se kostot e lidhura me dërgimin e remitancave variojnë nga 5 – 24 % të shumës totale të dërguar, me një mesatare prej 8,64%, duke bërë kështu që pjesa më e madhe e remitancave të transferohet në rrugë joformale” shkruhet në relacion.
Strukturat e reja
Projektligji parashikon krijimin e strukturave të reja monitoruese. Implementimi i Aktit është i lidhur me nevojën për rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoriteteve përgjegjëse. Pranë çdo autoriteti përgjegjës do të duhet të krijohen njësi të posaçme të specializuara në lidhje me aktivitetin licencues dhe mbikëqyrës të ofruesve të shërbimeve që burojnë nga tekonologjitë e reja. Për këtë arsye, do të kërkohen investime për krijimin e këtyre njësive, si për tërheqjen e stafit të kualifikuar dhe me eksperiencë në tregjet ndërkombëtare (mundësisht të huaj), ashtu edhe për trajnimin e stafit aktual.