Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje vendeve të Evropës për themelimin e një ushtrie të përbashkët, në rast të tërheqjes së mundshme të Shteteve të Bashkuara dhe përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia.
Në fjalimin e tij në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Munih të shtunën, Zelensky tha se “ka ardhur koha, Forcat e Armatosura të Evropës duhet të krijohen”.
“Nëse amerikanët vendosin të largohen, ta kufizojnë praninë e tyre, nuk është gjë e mirë, natyrisht, është e rrezikshme”, tha Zelensky.
Zelensky i bëri këto lutje në një konferencë vjetore që, këtë vit, është mbizotëruar nga pyetja për Ukrainën dhe qëndrimet e administratës së re amerikane për përfundimin e luftës, si pasojë e të cilës qindra mijëra njerëz kanë humbur jetë prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë më 24 shkurt 2022.
Delegatët në Munih kanë shprehur shqetësime për deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë këtë javë, të cilët kanë lënë të kuptohet se Uashingtoni është i gatshëm të bëjë lëshime të mëdha përballë presidentit rus, Vladimir Putin.
Duke folur në Munih, zyrtarët e SHBA-së gjithashtu kanë përsëritur thirrjet për shtetet evropiane që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe të marrin një pjesë më të madhe të barrës së sigurisë.
Zelensky sugjeroi se administrata e re amerikane ka qasje të re jo vetëm ndaj Ukrainës, por ndaj Evropës si tërësi. “Ditët e vjetra kanë mbaruar”, tha ai, duke shtuar se Uashingtonit i nevojitet Evropa si treg, por jo patjetër edhe si aleate.
Sipas tij, fuqia kolektive është përgjigjja.
“Amerika duhet të shohë ku po shkon Evropa, dhe ky drejtim i politikës evropiane nuk duhet të jetë vetëm premtues. Duhet ta bëjë Amerikën të dëshirojë të qëndrojë me një Evropë të fortë”, shtoi ai.
Duke folur para Zelenskyt, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se është i kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar angazhimin e tyre për Ukrainën, duke shtuar se nuk duhet të ketë asnjë marrëveshje pa përfshirjen e Kievit.
Sipas tij, nuk mund të ketë “zgjidhje të diktuar” dhe “nuk mund të ketë shkëputje” të sigurisë evropiane dhe amerikane.
Scholz shtoi se Gjermania ka dhënë katër herë më shumë mbështetje se Shtetet e Bashkuara për Ukrainën, nëse mbështetja matet me përqindjen e PBB-së.
Kancelari, i cili përballet me zgjedhjet federale më 23 shkurt , të cilat, sipas sondazheve, do t’i humbë, gjithashtu iu përgjigj komenteve të bëra nga nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili dje kritikoi standardet e demokracisë në Evropë dhe nivelet e imigracionit atje.
“Ne nuk do të pranojmë që njerëzit që shikojnë nga jashtë Gjermaninë të ndërhyjnë në demokracinë tonë, në zgjedhjet tona”, tha Scholz.
Fjalimi i Vance i befasoi delegatët në konferencë, të cilët prisnin që ai të paraqiste hollësi për planet e Uashingtonit për paqen në Ukrainë. Vance gjithashtu habiti kur më vonë e takoi Alice Ëeidel, lideren e partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Takimi u zhvillua jashtë konferencës pasi AfD-ja nuk ishte ftuar. Scholz tha se AfD-ja është parti që minimizon të kaluarën naziste të Gjermanisë. Gjykatat gjermane kanë vendosur që shërbimi i inteligjencës së brendshme të vendit mund ta vëzhgojë atë për ekstremizëm të dyshuar të djathtë.
Tradicionalisht, në Munih mbahet takim mes liderit të delegacionit të SHBA-së dhe kancelarit gjerman, por nuk u zhvillua asnjë takim i tillë mes Scholz dhe Vance.
Ftohja e dukshme e marrëdhënieve shtoi urgjencë në paralajmërimet e Zelenskyt për nevojën që Evropa të tregojë më shumë unitet dhe vendosmëri.
Zelensky u takua me Vance mbrëmjen e kaluar në bodrumin e një hoteli me pesë yje, jashtë qendrës së konferencës.
Që të dy thanë se patën “biseda të mirë”, të cilat do të vazhdojnë, por pas bisedimeve mes tyre nuk pati njoftim apo tregues për ndonjë përparim.
Diplomacia kryesore në këtë konferencë të fundjavës mbase u zhvillua të premten. Por kontaktet po vazhdojnë dhe do të ketë mundësi për të dëgjuar më shumë hollësi në vazhdim.
I dërguari i Trumpit për Ukrainën, Keith Kellogg, do të paraqitet në një drekë joformale ku pritet të flasë. Ai gjithashtu do të bashkohet me ministrat e jashtëm të Ukrainës, Britanisë dhe Polonisë në një diskutim në panel në mbrëmje.