Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ftoi sot vendet e Ballkanit për një bashkëpunim të mundshëm për prodhimin e municioneve, për të cilat Ukraina ka nevojë në përballjen e saj me agresionin rus. Ai e bëri këtë propozim në samitin e mbajtur në Tiranë, ku morën pjesë vendet e Europës juglindore. Deklarata e përbashkët, e miratuar në fund të takimit, i bënte ndërkohë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën.
I mbërritur në Tiranë, pak para mesnatës, presidenti ukrainas Zelensky e nisi ditën me një takim me kryeministrin Rama. Një bisedë kokë më kokë mes të dyve e më pas me delegacionet respektive, u përmbyll me firmosjen e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve.
Shqipëria është ndër vendet e para që mbështeti pa hezitim Ukrainën, duke ofruar dhe ndihma, si dhe u rreshtua me vendet e tjera për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ajo ishte po ashtu bashkëpenëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara për çështjen e Ukrainës gjatë mandatit të saj dyvjeçar si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Për të gjitha këto arsye, presidenti Zelensky nderoi sot kryeministrin Rama me “Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti” një nga titujt më të lartë të Ukrainës.
Në një postim në rrjetin social X, pas takimit me zotin Rama, presidenti ukrainas shkroi se së bashku kishin diskutuar “ndër të tjera dhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve”.
Një ide të cilën ai e hodhi më pas si një ftesë drejtuar vendeve të rajonit, pjesëmarrëse në samitin e sotëm, ndërsa theksoi nevojën e mbështetjes së vendit të tij në luftën kundër agresionit rus. “Ne shikojmë probleme me furnizimin me municione, të cilat ndikojnë situatën në fushën e betejës dhe prandaj jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe me partnerët tanë. Ekipi ynë qeverisës, do të prezantojë të gjitha detajet dhe ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes ndërmjet Ukrainës dhe Ballkanit qoftë në Kiev apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja”.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në hapje të takimit, pati një thirje për vendet më të mëdha e më të pasura të bashkësisë demokratike “për të njohur rolin e tyre. Jetesa e Ukrainës si një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik e si bastion i lirisë së Europës në tërësi varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake që ata së pari mbi të gjitha ofrojnë. Kjo mbështetje nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme ditëshkurtra, apo i vonesave demokratike. Mos u gaboni! Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në ne cilën besojmë, qëndrojmë dhe punojnë”.