Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka dhënë një intervistë për mediat greke ku ka vlerësuar rolin që shteti helen ka dhënë për luftën. Ai gjithashtu ka thënë se vlerëson rolin e Turqisë si ndërmjetëse në negociatat me Rusinë, por në të njëjtën kohë tha se Erdogan duhet të mbajë një qëndrim më të qartë se kë mbështet në këtë konflikt.
“Kur jeni në luftë, duhet të bëni më të mirën për të bashkuar shtetet rreth jush, madje edhe ato që historikisht kanë pasur marrëdhënie të vështira. Ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i pasur të gjitha këto shtete në anën tonë, sepse Ukraina ka nevojë për partnerë dhe miq.
Përndryshe nuk do të mund ta mposhtim Federatën Ruse që na sulmoi. Unë do të jem plotësisht i sinqertë me ju, për shembull, ne kemi mbështetjen e Turqisë dhe kemi mbështetjen e Greqisë.
Unë do t’ju them sinqerisht se kemi pyetje si për Turqinë ashtu edhe për Greqinë. Kjo është jeta dhe çdo shtet ka interesat e veta. Nga ana tjetër, ne kemi mbështetjen e qeverisë, të udhëheqjes shtetërore dhe këtë ndihmë e kemi marrë.
Unë jam mirënjohës për këtë. Këtu jemi. Do të doja që të gjithë në Greqi të na mbështesin, do të doja që ata të zgjidhnin anën tonë, çfarëdo që të ndodhte, kryesorja është që tani kemi mbështetjen. Dhe më e rëndësishmja është që njerëzit e Greqisë na mbështesin dhe unë jam mirënjohës për këtë.
Nga ana tjetër, kuptoj që në Greqi një pjesë e madhe e të ardhurave buxhetore vijnë nga turizmi. Sigurisht, turizmi rus ka sjellë shumë para në Greqi për shumë vite.
Ne besojmë se ata fitojnë para duke derdhur gjak dhe ato para shpenzohen. E njëjta gjë vlen edhe për Turqinë. Nga njëra anë, Turqia vepron si ndërmjetëse dhe mbështet Ukrainën me hapa të rëndësishëm, dhe nga ana tjetër, shohim, për shembull, përgatitjen e disa rrugëve turistike në të njëjtën kohë.
Sidomos për turizmin rus. Këtë e shohim edhe ne. Dhe unë si President, nëse duam të kemi marrëdhënie miqësore, duhet të them këtë, se nuk është e mundur. Nuk mund ta trajtosh në këtë mënyrë, është standard i dyfishtë.
Kjo nuk është e drejtë. Prandaj tërheq vëmendjen e Turqisë për mundësi të tilla, besoj se nuk mund të jetë kështu, sepse duhet bërë një zgjedhje – jeni pro të vërtetës apo jo?”, tha Zelensky.
Kujtojmë se pak janë më parë presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan mori vetë pjesë në negociatat me Rusinë dhe shënoi një përparim të rëndësishëm. Asokohe Rusia ra dakord që të tërhiqej nga pjesa qendrore e vendit dhe të ulte agresivitetin ushtarak. Këto masa nuk zgjatën shumë pasi Rusia cilësoi disa veprime të Ukrainës si provokim dhe nisi sërish një ofensivë masive./ERT/