Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Poloni pasi kaloi kufirin nga Ukraina, tha sot për kanalin e lajmeve TVN24 Marcin Przydacz, këshilltari për politikën e jashtme të presidentit polak Andrzej Duda.
Në orën 11:00 (09:00 GMT) Zelensky do të pritet nga Duda në pallatin presidencial.
Është planifikuar gjithashtu një takim me kryeministrin polak Mateusz Morawiecki.
Në mbrëmje në Kështjellën Mbretërore të Varshavës, Zelensky dhe Duda planifikojnë të takojnë ukrainas që kanë gjetur strehim nga lufta në Poloni. Të dy krerët e shteteve planifikojnë të mbajnë fjalime gjatë aktivitetit.
Zelensky deri më tani ka udhëtuar shumë rrallë jashtë vendit që kur filloi pushtimi i plotë i vendit të tij nga Rusia në shkurt 2022. Në shkurt 2023, ai vizitoi Londrën, Parisin dhe Brukselin.
Ndërkohë, presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko udhëton sot për në Moskë për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në sfondin e luftës në Ukrainë.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në kryeqytetin rus, Lukashenko dhe Putin do të zhvillojnë bisedime mbi çështjet aktuale dypalëshe dhe ndërkombëtare.
Ndër çështjet dypalëshe është vendosja e armëve bërthamore taktike në territorin Bjellorusi drejtpërdrejt në kufirin me Poloninë, siç njoftoi Putin gjatë fundjavës.
Çështjet ndërkombëtare ka të ngjarë të përfshijnë luftën në Ukrainë dhe një reagim ndaj pranimit të Finlandës në NATO, i cili u përfundua zyrtarisht dje.