Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina duhet të pranojë se nuk do të bëhet anëtare e NATO-s.
“Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. Ne e kuptojmë atë. Kemi dëgjuar prej vitesh që dyert ishin të hapura, por kemi dëgjuar edhe që nuk mund të bashkoheshim. Është një e vërtetë dhe duhet njohur, dhe më vjen mirë që njerëzit tanë kanë filluar ta kuptojnë këtë dhe të mbështeten tek vetja dhe partnerët tanë që po na ndihmojnë”, tha Zelensky gjatë një telefonate me përfaqësuesit e Ekspeditës së Përbashkët të udhëhequr nga MB.
Zelensky theksoi se Ukraina po bën gjithçka për të marrë aeroplanë, sisteme të mbrojtjes ajrore.
“Ne theksojmë nevojën për formate të reja ndërveprimi, vendosmëri të re. Nëse nuk mund të hyjmë në derën e hapur, duhet të punojmë me komunitetet që do të na ndihmojnë, do të na mbrojnë. Dhe ne do të donim të kishim disa garanci të besueshme që do të funksionojnë për ne. që do të thotë se do të punojnë edhe për ju”, tha ai.
Ai deklaroi se pushtimi rus i Ukrainës shkatërroi absolutisht gjithçka mbi të cilën bazohej siguria në rajonin e Ukrainës dhe siguria ndërkombëtare në përgjithësi. Zelensky vuri në dukje se aleanca më e fuqishme e sigurisë, NATO, e kishte vënë në pikëpyetje besueshmërinë e saj.
Zelensky tha se disa anëtarë të Aleancës thjesht janë “hipnotizuar” nga agresioni rus dhe janë të shqetësuar për fillimin e mundshëm të Luftës së Tretë Botërore nëse zbatojnë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.
“Ne themi se qiejt tanë duhet të mbrohen njësoj si qiejt e Aleancës, por e kuptojmë se ka gjithmonë një “por”. Cila do të jetë përgjigja e NATO-s ndaj aleatëve në Evropën Lindore nëse ata tashmë po kërkojnë mbrojtje? Nëse, Zoti na ruajt, raketat ruse dhe avionët rusë mbërrijnë në territorin e tyre? Rusia ka sulmuar rajonin tonë Lviv. Një sulm me raketa 20 kilometra larg kufijve të NATO-s. Dronët rusë tashmë kanë rënë në territorin e Aleancës”, shtoi Zelensky.
Ai tha gjithashtu se autoritetet ukrainase u kanë ofruar partnerëve ndërkombëtarë një mënyrë për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe njerëzit e Ukrainës vetë.
/Argumentum.al