Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti pas takimit me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka rënë dakord me platformën e propozuar nga plani franko-gjerman, porse nuk ka pasur diskutime për marrëveshje paraprake.
Një gjë të tillë Bislimi e ka bërë të ditur në konferencë për media, ku është paraqitur agjenda e festimit të 15 vjetorit të pavarësisë së vendit. Ai është shprehur paksa kritik ndaj gazetarëve, që më shumë u ka interesuar çështja e Asociacionit se sa festimi i 15-vjetorit të pavarësisë dhe shënimi i Epopesë së UÇK-së, për çka ishte thirrur kjo konferencë.
“Ajo që Kurti ka nxjerrë pas takimit është informata që ai është dakord me platformën e propozuar nga plani-franko-gjerman me mbështetje të SHBA-së, por platforma tregon vetëm principet e veprimet bazë, ndërkaq gjithçka që ka të bëjë me implementimin e saj, duhet diskutohet në aneksin implementues mes palëve në Bruksel. Do të thotë plani franko-gjerman i tregon kornizat bazë, që nënkupton njohjen ‘de facto’ të dy shteteve”, ka theksuar Bislimi.
Sipas tij, më pas palët në Bruksel do të diskutojnë se cili do të jetë sekuencimi i hapave dhe cilat marrëveshje duhet modifikuar, cilat duhet të zbatohen e si të zbatohen.
“Nuk ka pasur diskutim për asnjë marrëveshje paraprake, por për kornizën e propozimit franko-gjerman”, është shprehur Bislimi.
Sa i përket gjashtë kushteve të paraqitura nga Kurti për të pranuar Asociacionin, Bislimi ka thënë se ato në ‘fakt janë parakushte që tregojnë se mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve’.
“BE-ja ka vërejtjet e saj në dy kushte, por cilat janë ato dhe pse ka vërejtje duhet ta pyesni z. Lajçak kur të vijë në Prishtinë”, ka thënë Bislimi.