Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Llamallari mori pjesë në Konferencën e Ministrave të BE-Ballkani Perëndimor mbi kontrollin e armëve të zjarrit.
Në fjalën e tij, Lamallari, duke ndarë rezultatet e arritura deri më tani dhe politikat e nismat prioritare për 5 vitet e ardhshme theksoi se, “ne e dimë se e ardhmja u takon atyre, të cilët arrijnë të dallojnë mundësitë, përpara se ato bëhen të dukshme. Dialogu dhe angazhimi politik midis nesh, i mbështetur në besimin reciprok të adresimit efektiv të sfidave të përbashkëta përmes bashkëpunimit, do të avancojë më tej arritjet në drejtim të kapaciteteve hetimore dhe teknologjike, në favor të sigurisë së shtuar të qytetarëve të vendeve tona”.
“Është e qartë se ambiciet tona për ndryshim duhet të jenë realiste. Ndryshimi në vetvete merr kohë dhe durim për të triumfuar mbi të shkuarën. Por për ne, e ardhmja është e qartë. E ardhmja jonë është një Evropë më e sigurt dhe Bashkimi Evropian”, tha Llamallari.
Ai falënderoi Komisionin Evropian për organizimin e kësaj konference të rëndësishme.
Kjo konferencë u zhvillua nën kryesimin e Presidencës suedeze të Këshillit, Zv/presidentit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Komisioneres për Punët e Brendshme, Ylva Johansson.