Misioni i OSBE/ODIHR ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Në raport theksohet se votuesit shqiptar patën mundësi të zgjidhin kandidatët, por partia në pushtet (PS) pati avantazh domethënës nga kontrolli i pushtetit lokal dhe nga keqpërdorimi i burimeve shtetërore.
OSBE/ODIHR thotë se pati akuza të shumta nga partitë politike për blerje të votave që çoi në nisjen e disa proceseve hetimore.
“Institucionet ligj zbatuese duhet të hetojnë të gjitha deklarimet për shkeljet zgjedhore, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, në një mënyrë të plotë, në kohë dhe transparente”, thekson raporti.
Në raport vlerësohet roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërsa theksohet se dita e votimit ka qenë transparente dhe e patrazuar.
Në përfundimet e raportit jepen 23 rekomandime për afrimin e zgjedhjeve në Shqipërisë më pranë standardeve ndërkombëtare.
Një prej sugjerimeve bën fjalë për adresimin e rekomandimeve të ODIHR dhe Komisionit të Venecias në ligjin zgjedhor.
OSBE/ODIHR rekomandon intensifikimin e përpjekjeve për identifikimin, hetimin dhe dënimin e rasteve të blerjes së votës dhe inkurajimin e qytetarëve për të denoncuar rastet e blerjes dhe presionit.
Gjithashtu thuhet se duhet hetuar keqpërdorimi i të dhënave personale dhe nëse ka pasur ndikim në procesin zgjedhor publikimi i tyre.
“Shqipëria duhet të përmirësojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe ndëshkojnë çdo shkelje apo ndikim në besimin e publikut në procesin zgjedhor”, thuhet rekomandimin numër 4.
Për sistemin zgjedhor OSBE/ODIHR rekomandon vendosjen e një pragu kombëtar prej 1% për kandidatët e pavarur në mënyrë që të garantohen kushte të barabarta gare.
Në raport thuhet se e drejta e kryetarëve të partive për të garuar në disa qarqe duhet rishikuar pasi shkel principin e barazisë.
Misioni i OSBE/ODIHR monitoroi zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri me vëzhgues që vinin nga 57 vende.
5 rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR:
- Korniza ligjore duhet të rishikohet për të adresuar rekomandimet e ODIHR dhe Komisionit të Venecias dhe disa paqartësi. Ndryshimet në ligj duhet të ndodhin me një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të mundësohen përpara zgjedhjeve të ardhshme.
- Shteti duhet të garantojë të drejtën për zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Çdo formë presioni për të zbuluar si dhe kë votuan njerëzit duhet të ndalohet.
- Agjencitë ligj zbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të inkurajohen të raportojnë dhe sigurojnë evidence për blerjen e votës apo presionet.
- Shqipëria duhet të mbrojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon besimin publik në procesin elektoral.
- Legjislacioni duhet të rregullohet për të siguruar që media të ketë mundësi të mbulojë në mënyrë të pavarur aktivitetet e garuesve elektoralë me qëllim për të limituar përdorimin e përmbajtjes së servirur nga partitë në lajme.