Të shtunën në mbrëmje, rreth 7 mijë uniforma blu pritet të marrin në dorëzim materialet zgjedhore për procesin e 30 qershorit. Hartuesit e planit parashikojnë që jashtë qendrave të votimit të qëndrojnë nga 2 punonjës policie, por për shkak të mungesës së kapaciteteve efektive, nga Tirana do të delegohen me detyra në rrethe.
Mësohet se në ndihmë do të vijnë dhe efektivë të emigracionit, por edhe të ruajtjes së objekteve. Gjithsej duhet të sigurohen 5 362 Qendra Votimi, 90 KZAZ dhe 90 vende të numërimit të votave.
Përplasjet e ditëve të fundit nga mbështetës të opozitës në ambientet e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe kundërshtimi i bashkive që kontrollojnë PD dhe LSI, kanë tensionuar situatën në disa qytete. Pikërisht për të shmangur përplasjet në 30 qershor, është parashikuar që grupe efektivësh dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë, të qëndrojnë në gatishmëri.
Krahas kësaj, Policia do të angazhojë një numër të efektivëve në ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë, të cilat pritet të sigurohen me forcat Komando, ndërsa Garda kryesisht me lëvizjen e personaliteteve. Ndërkohë, prej vitit 2005, vetë shumica e trupës së policisë nuk ushtron të drejtën e votës. Dikur efektivët votonin aty ku shërbenin, por prej disa procesesh zgjedhore kjo mundësi nuk aplikohet më.