Pas zgjedhjeve lokale në Hamburg, Partia Socialdemokrate, SPD mbetet forca kryesore politike, e pasuar nga Të Gjelbrit. CDU pësoi humbje të thellë, kurse AfD duhej të priste gjatë për futjen në parlamentin e qytetit.
Pas zgjedhjeve në Hamburg të dielën (23.02) socialdemokratët (SPD) dhe Të Gjelbrit janë entuziastë. Vërtet që socialdemokratët pësuan një rënie me 6,6%, por ata dolën forca kryesore me 39,0% të votave, një rezultat zgjedhor, që SPD-ja nuk e ka më në asnjë land tjetër gjerman. Triumfues mund të quhen edhe Të Gjelbrit në Hamburg. Vërtet që ata nuk e arritën qëllimin të dilnin forca kryesore në Hamburg, por me 24,2% ata gati e dyfishuan rezultatin krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Katharina Fegebank, kandidatja e Të Gjelbërve
“Opcioni i afërt”
Kryebashkiaku i Hamburgut, Peter Tschentscher, (SPD) e fituesi i zgjedhjeve bëri të ditur, se shpejt do të ketë bisedime me Të Gjelbrit për përsëritjen e koalicionit si “opcioni i afërt”. Të dyja partitë do të arrinin në Hamburg gati një shumicë dy të tretat. Por Tschentscher do të zhvillojë bisedime edhe me humbësin e zgjedhjeve, CDU. Sepse teorikisht në bazë shifrash mund të arrihej një shumicë edhe me një koalicion të konservatorëve me socialdemokratët.
Marcus Weinberg, kandidati i CDU
Në zgjedhjet e Hamburgut, partia populiste e djathtë, AfD duhej të priste gjatë për futjen në parlament. Në fund ajo arriti të kalojë pragun e 5% me një rezultat 5,3%. Edhe liberalët e FDP-së arritën të kalojnë pragun zgjedhor dhe janë prezentë në parlamentin e ardhshëm pas rezultatit 5,0%. Zgjedhjet në Hamburg shënuan një pjesëmarrje të lartë zgjedhore, 63,3%, gati 7% më shumë se në zgjedhjet e vitit 2015./dw