Në Maqedoninë e Veriut deri në ora 15.00 të drejtën e votës për zgjedhjet lokale e kanë shfrytëzuar 31.80 për qind e votuesve, ka bërë të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedheve.
Nga përpunimi i 69,86 të vendvotimeve, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar rreth403.715 votues nga rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.
Numër më të madh të votuesve ka në komunën e Novacit në jug të Maqedonisë së Veriut, gjithsej 59.68 për qind e qytetarëve ndërsa dalje më e ulët është regjistruar komunën e Likovës me 19.99 për qind.
Për shkak të pamundësisë për votuar me sistemin “fingerprint”, votimi në gjashtë komuna nga 80 sa janë gjithsej, po zhvillohet me mënyrën e vjetër ndërsa në 11 komuna ka pasur ndërprerje të votimit për më shumë se një orë.
Në këto komuna votimi do të vazhdojë edhe pas orës 19, por jo më shumë se tre orë.
“Pjesëmarrja në votime është solide, procesi zgjedhor po zhvillohet kryesisht në atmosferë të qetë dhe demokratike”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.
Gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike; LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Partitë shqiptare garën do ta zhvillojnë për qytetet me shumicë shqiptare në Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibër si dhe disa komuna tjera.
Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi dhe komunat tjera më të vogla.
Shumica e komunave aktualisht drejtohen nga Lidhja Social – Demokrate e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev ndërsa komuna me shumicë shqiptare nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Zgjedhjet do të mbikëqyren nga 1,100 vëzhguesit vendorë dhe 217 vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE-ODIHR.